Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian diskutojnë sot për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dhe tensionet e fundit mes dy vendeve.

Ministrat pritet të kenë “shkëmbim të mendimeve rreth dialogut Prishtinë-Beograd, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës”, thonë burime në Bruksel. Pritet që para ministrave të raportojë kryediplomati i BE-së, Josep Borell, dhe më pas të vazhdojnë diskutimet në këtë temë.

Nuk priten konkluzione apo vendime formale, thotë REL, përveç diskutimit të masave që mund të marrë blloku europian për t’i bindur palët që të marrin hapa të menjëhershëm për uljen e tensioneve. BE-ja ka insistuar vazhdimisht për shtensionimin e situatës pas takimeve të fundit që Borrelli pati me dy liderët në Bruksel javën e kaluar.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç nuk u takuan me njëri-tjetrin, por vetëm me Borrellin, veç e veç. Ditët e fundit, autoritetet e Kosovës janë duke arrestuar disa pjesëtarë të komunitetit serb, të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në dhunën kundër pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve që raportonin nga veriu.

Serbia dhe pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë i konsiderojnë këto arrestime si arbitrare. Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbisë që t’i ulin urgjentisht tensionet dhe që Prishtina t’i organizojë zgjedhjet e reja. Zhvillimet e fundit në raportet mes Kosovës dhe Serbisë do të diskutohen edhe në Komisionin për Politikën e Jashtme, ku do të diskutohen gjithashtu  masat që KE-ja ka nisur t`i ndërmarrë tashmë si masë ndëshkuese ndaj Kosovës për zhvillimet në veri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA