Pas aksioni të policisë së Kosovës në veri, ka reaguar me akuza të rënda drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkovic, sipas të cilit autoritetet kosovare i vunë vetë armët e gjetura atje.

Petkovici doli me pretendimin se armët që Policia e Kosovës i gjeti në afërsi të Komunës së Zveçanit, janë konfiskuar më herët në aksionet për çarmatimin e qytetarëve në vend. Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla tha me herët se ishte “parandaluar një sulm terrorist”, falë angazhimit intensiv të njësiteve speciale të Policisë së Kosovës.

Sipas tij, rreth 100 metra nga komuna e Zveçanit ishte identifikuar një makinë me targa të Beogradit, ku kishte sasi të mëdha armësh, mjete shpërthyese dhe municione. Ai publikoi edhe disa fotografi të armëve në rrjetin social, Facebook. “Kjo është edhe një dëshmi se Serbia, përmes grupeve dhe organizatave të tilla, synon të destabilizojë vendin tonë”, ishte mesazhi i tij.

Petkoviçi nga ana e tij thotë se autoritetet serbe i kanë njoftuar shërbimet e huaja më 20 qershor – pa përmendur saktësisht cilat – se Kosova po përgatit operacione të reja për arrestimin e serbëve në veri. “Si pjesë e këtij plani, pjesëtarët e policisë së Kosovës po transportojnë armë dhe municione ilegale, të cilat i janë konfiskuar më parë shtetasve të nacionalitetit serb dhe shqiptar, nga të gjitha stacionet e Policisë së Kosovës.

Qëllimi i tyre është që t’i përdorin armët e përmendura për arrestime të reja të serbëve ose t’i ruajnë ato në veri dhe pastaj gjoja t’i gjejnë dhe akuzojnë serbët”, thotë Petkovic, sipas të cilit, makinës ku u gjetën armët, i ka skaduar targa në 2020.

Top Channel