“Dekada”/ Koncerti i Elvana Gjatës që elektrizoi stadiumin! Mijëra njerëz shijojnë performancat dhe surprizat e artistes (Fotot)

23/06/2023 10:59

Këngëtarja Elvana Gjata “i vuri flakën” mbrëmjen e kaluar stadiumit “Air Albania”, ku mbajti koncertin e saj të parë recital.

Mijëra fansa që mbushën stadiumin ndoqën për katër orë “Dekadën”, ndërsa kënduan njëzëri të gjitha këngët e artistes.

Elvana shkriu në skenën gjigante, të ndërtuar në stadium me efekte dhe grafika të veçanta, karrierën e saj 20-vjeçare. Gjatë dy dekadave në tregun muzikor shqiptar, artistja ka marrë dashamirësinë e mijëra njerëzve që i dëgjojnë dhe këndojnë këngët e saj. Dhe mbrëmja e kaluar ishte një dëshmi e suksesit për të.

Krahas performancave të shoqëruara dhe nga trupa e baletit, Elvana Gjatës në skenë iu bashkuan disa nga bashkëpunëtorët e saj. Publiku mirëpriti Mc Kreshën, Ledri Vulën, Capital T, Noizyn, Bardhin, Ylli Limanin, Dhurata Dorën. Një moment emocionues ishte ai kur Elvana performoi krah motrës së saj, sopranos Migena Gjata.

Nuk munguan as të papriturat, kur një djalë i dashuruar nxori nga xhepi unazën dhe i propozoi për martesë të dashurës së tij, e cila padyshim nuk e kishte imagjinuar se këtë çast do ta ndante para mijëra djemve dhe vajzave në stadium.

E emocionuar dhe mirënjohëse për publikun që e duartrokiti pa ndalim, Elvana shkroi pas koncertit në rrjetet sociale:

“Woww, jam pa fjalë për këtë që sot më panë sytë. Ishit kaq shumë, e ndieva kaq shumë dashuri sa po më plas zemra nga gëzimi. Kjo që pashë, është një ëndërr që u bë realitet. Jam mirënjohëse për besnikërinë tuaj ndaj meje, mirënjohëse për secilin prej atyre që kam pasur pranë gjithë këto vite, kompozitor, producer, tekstshkrues dhe bashkëpunëtor që kanë dhënë shumë mund e dashuri në rrugëtimin tim. Faleminderit nga zemra”.

FOTO GALERI
11/11

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA