Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës të ndaluar nga forcat serbe.

Në konferencën e përditshme për shtyp, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller ka deklaruar se:“Ne besojmë se Kosova dhe Serbia duhet të marrin masa për të çtensionuar situatën dhe kjo përfshin lirimin pa kushte të tre oficerëve të policisë së Kosovës që u ndaluan së fundmi.”

Zoti Miller tha gjithashtu se “të dyja palët duhet të ndjekin planin prej tre pikash që ka paraqitur BE-ja” .

“Si pjesë e kësaj Kryeministri Kurti duhet të garantojë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre nga vend-ndodhje alternative dhe të tërheqë forcat e policisë”, tha zoti Miller.

Zëdhënësi Miller tha se SHBA dënon “dhunën e papranueshme ndaj forcave të KFOR-it, anëtarëve të zbatimit të ligjit dhe gazetarëve dhe përsa i takon rrugës më tej ne vazhdojmë të angazhohemi si drejtpërdrejt me të dyja palët, dhe me partnerët në rajon.”

Ai tha se Sekretari i Shtetit Antony Blinken, këshilltari Derek Chollet dhe zyrtarë të tjerë të DASH-it janë të angazhuar me partnerët në rajon për këtë çështje. Megjithatë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit nuk pranoi të thoshte nëse SHBA po përgatit masa apo sanksione si kundërpërgjigje.

“Nuk dua të flas për masa të mundshme në këtë moment. Fokusi ynë është që t’u bëjmë të qarta palëve pritshmëritë tona, që të dyja palët të marrin masa për të lehtësuar tensionet dhe të ndjekin planin me tre pika të paraqitur nga BE-ja”- tha Miller, raporton VOA.

Më herët shefi i politikës se Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell tha se do t’i thërras Kosovën dhe Serbinë në një takim javën e ardhshme në Bruksel, për menaxhimin e krizës. Borrell nuk e tha nëse në takimi do të jetë në nivelin më të lartë politik. Megjithatë, burimet ne Bruksel thanë se në takim do të ftohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Shefi i diplomacisë evropiane e bëri paralajmërimin në fillim të një takimi me ministrat e NATO-s, duke theksuar se bashkëpunimi mes bllokut dhe aleancës ushtarake shkon përtej Ukrainës.

Për shembull, në Kosovë ditëve të fundit u pa se sa i rëndësishëm është ky bashkëpunim dhe dëshiroj të falënderoj KFOR-in dhe komandantin e KFOR-it për punën që po bën në veri të Kosovës”, tha Borrell.

Ai tha se Bashkimi Evropian po përpiqet të kuptojë se çfarë ka ndodhur saktë lidhur me arrestimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe një ditë më parë ndërsa ritheksoi thirrjet për qetësi në terren.

Në natë më parë ai tha në një letër dërguar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti se një raund i ri i bisedimeve nuk mund të organizohet para se Kosova të marrë hapa për të shtensionuar situatën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA