Në gjykatën, vazhdon seanca ndaj ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, i arrestuar për shpërdorim detyre.
Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako doli sot në seancën e parë gjyqësore, ku mohoi akuzat e SPAK-ut.
Në lidhje me pallatin që prokuroria thotë se është dhënë leja në kundërshtim me ligjin, Dako i tha gjykatës se nuk ka dijeni, madje nuk e di dhe sa kate është.
Më tej, ai ka dhënë sqarime edhe në lidhje me tenderin për blerjen e projektit për zhvillimin e vijës bregdetare, nga zona e Brrylit deri në Currila, me pretendimin se nuk kam pasur dijeni dhe gjithçka ka qenë në dorën e specialistëve. Sipas Dakos kjo procedurë prokurimi publik është zhvilluar nga specialistët dhe se ai nuk ka qenë në dijeni.
Burime për gazetaren Anila Hoxha bëjnë me dije se kryebashkiaku është shprehur se nuk e ka shkelur në asnjë moment procedurën e prokurimit për këtë tender. Ish-kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, i ka kërkuar gjykatës masë më të butë sigurie.
Avokati i tij mbrojtës Petrit Ismalili përpara gjykatës është shprehur se Dako nuk ka lidhje me akuzat, e për këtë ka kërkuar masa më të buta si ajo e “arrestit shtëpiak”, “detyrim paraqitje”, apo edhe “garanci pasurore”.
Ndërkohë, seanca vijon me të pandehurit e tjerë që po japin shpjegimet e tyre për akuzat e ngritura nga SPAK.
Dhënia e lejes së ndërtimit për një pallat 11 vite më parë në lagjen nr. 5 të Durrësit u bë shkak për arrestimin e ish-kryebashkiakut socialist të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe ish-zyrtarët e tjerë të kësaj bashkie.
Pallati pësoi dëmtime pas tërmetit të nëntorit të vitit 2019. Pas hetimeve të nisura nga SPAK një vit më parë, u gjetën shkelje nga ana e ish kryebashkiakut Vangjush Dako dhe disa prej ish-zyrtarëve të tjerë.
Në pranga ra edhe biznesmeni Fiqiri Farruku, ndërtuesi i pallatit.
Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin arrestimin e Vangjush Dakos dhe të 4 ish-zyrtarëve të Drejtorisë së urbanistikës së Bashkisë së Durrësit, përfshirë ish Drejtorin Adhurim Qehajaj, si dhe pronarin e një kompanie ndërtimi, Fiqiri Farku dhe inxhinieren e kompanisë. Arrest me burg është kërkuar për tre ish punonjëse të Bashkisë së Durrësit.
Top Channel