Skandali në Fiks Fare/ Arrestohet komandanti i policisë, i vodhi para një qytetari në makinë, rrahu një tjetër

02/06/2023 08:23

Pas denoncimit të Fiks Fare për veprimet arbitrare të një inspektori policie në Shkodër, i cili i kontrollonte portofolin një qytetari dhe një tjetër e dhunonte, ka nisur hetimin Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Bëhet fjalë për Shkëlzen Gjonaj, me detyrë Komandant Rendi në komisariatin e Shkodrës, i cili pas videove të publikuara në Fiks Fare akuzohet për “Shpërdorimit të detyrës”, “Vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Kanosje”.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër-Lezhë) në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit Përgjithshëm Shkodër, në saj të një pune të përbashkët hetimore në funksion të procedimit penal regjistruar më datë 31.05.2023, ka finalizuar me sukses dokumentimin ligjor të veprimtarisë së kundërligjshme të punonjësit të policisë Nënkomisar SH. GJ., 55 vjeç, , me detyrë Specialist Rendi në Komisariatin e Policisë Shkodër.
Ndaj këtij punonjësi, Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit Përgjithshëm Shkodër ka nxjerrë urdhër ndalimi për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Kanosje”, në dëm të shtetasve me iniciale B. U. dhe A. B.”- njofton AMP.

Informacioni i mbërritur në redaksinë e Fiks Fare është shoqëruar me video, ku në datën 21 maj 2023, Gjonaj futet në një makinë private pa mandat dhe i kontrollon portofolin.

Veç portofolit, ai ka kontrolluar një zarf, brenda të cilit dyshohet se ka pasur 350 mijë lekë dhe 50 euro të qytetarit. Më pas, polici e merr zarfin dhe bashkë me një fasoletë, heq kapelën. Ai bën sikur pastron kapelën dhe fut në të një send të bardhë, i cili ishte zarfi.

Për të njëjtin polic, Komandantin e Rendit në Policinë e Shkodrës, mbërrin një tjetër video, të bërë disa kohë më parë. Në video shfaqet sërish Shkëlzen Gjonaj, i cili gjuan me shkelma dhe grushte një djalë të ri. Sherri bëhet në mes të lokalit, teksa nga pamjet nuk duket si aksion policor. “Ik, ik! Larg, larg. Yyy, yyy depzes kur&ë! Jazëk, ik …” i thotë inspektori qytetarit.

Pas këtyre informacioneve, gazetarët e Fiksit shkojnë në Shkodër për të takuar vetë Komandantin e Policisë. E telefonojnë dhe i thonë se janë qytetar që kanë një informacion për një ngjarje. Komandanti i thotë se është në një kontroll banese dhe u lë takim. Grupi i Fiksit shkon te vendi i takimit, në lagjen Ajasem, afër Kalasë së Shkodrës.

Fillimisht për videon e parë, atë të marrjes së portofolit nga makina, polici thotë se ka marrë një fasoletë. E mohon që të ketë marrë para’, ndërsa pohon se s’ka qenë aksion! Gazetarët e pyesin nëse kishte ose jo mandat, ndërsa ai përgjigjet se “jo, s’ishte kontroll”, ndërsa mohon të ketë marrë para’, por vetëm një letër për të fshirë kapelën. Pyetjes nëse djali i tij ka kthyer paratë, thotë se s’ka dijeni!

Gazetarët e pyesin për videon e dytë, atë të rrahjes së një djali. Thotë se nuk e mban mend dhe nuk e di nëse është apo ai! Thotë se mund t’ia kenë bërë persona me precedentë për shkak të punës. E pyesim se përse kjo sjellje, na thotë “s’e mbaj mend”. Më pas, polici i afrohet grupit të Fiksit te makina dhe u thotë se “nëse publikohen këto video, më shkatërrohet karriera”.

“Kush ma ka bërë këtë punë?!” i thotë polici gazetarëve, ndërsa merr si përgjigje se nëse tregohet burimi, atëherë s’do kishte Fiks Fare! “Tërë jetën po na shkatërroni, për hir të punës kam … Në qoftë se kam rrahur, kam rrahur njerëz për hir të punës!” ishte përgjigjja e tij, duke pranuar se e ka dhunuar atë qytetar! Pyetjes se përse e kishte qëlluar, polici përgjigjet se “s’e mbaj mend”. Gazetarët e pyesin sërish për ngjarjen para 10 ditësh, atë të kontrollit të makinës dhe portofolit. “Unë e di që ma ka bërë njëri që e kam futur në burg, e di se ma ka bërë ai” thotë ai, por kur kupton se po filmohet ndryshon qëndrim. “Asnjë gjë s’është e vërtetë, këtë ta dini!” përfundon ai.

Top Channel