Policia ka lënë të lirë nënkryetarin e  FRPD-së në Shqipëri, Arvit Bushati, pasi ishte i shpallur në kërkim për korrupsion aktiv në zgjedhje.

Shërbimet e policisë e kanë shoqëruar në ambientet e Policisë ditën e djeshme. Pas verifikimeve të kryera nga strukturat hetimore dhe oficerët e Policisë Gjyqësore, ai është lënë i lirë.

Fillimisht arsyet e shoqërimit të Bushatit në Policinë e Shkodrës nuk diheshin, ndërsa policia njoftoi se 33-vjeçari iu shmang hetimit, për akuzat e korrupsionit, për rastin e ndodhur më datë 12 maj, ku u arrestuan tre persona të tjerë.

Bushati është aktualisht drejtori i Ujësjellës-Kanalizime Shkodër dhe konsiderohet si një ndër personat më të rëndësishëm të Demokratëve të Rithemelimit në Shkodër.

Për shoqërimin e Bushatit reagoi edhe PD-ja e Rithemeluar dega Shkodër. Përmes një komunikate për shtyp, Rithemelimi deklaroi se nënkryetari i FRPD-së është ndaluar në mënyrë abuzive, pa asnjë shkresë, por vetëm me një urdhër politik të shpërndarë përmes telefonit.

Njoftimi i policisë: “Në vijim të veprimeve hetimore që po kryhen në kuadër të procedimit penal nr. 456, të vitit 2023, për një rast të korrupsionit aktiv në zgjedhje, të dyshuar të ndodhur më datë 12.05.2023, për të cilin u arrestuan 3 shtetas dhe u shpall në kërkim shtetasi A. B., 33 vjeç, i cili iu shmang hetimit, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Shkodër, ditën e djeshme, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, kanë shoqëruar në ambientet e Policisë, shtetasin A. B., 33 vjeç, banues në Shkodër, Pas verifikimeve të kryera nga strukturat hetimore dhe oficerët e Policisë Gjyqësore, shtetasi A. B. është lënë i lirë. Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër siguron qytetarët se strukturat e Policisë së qarkut Shkodër janë të angazhuara maksimalisht për të zbatuar ligjin me paanësi dhe rigorozitet, si dhe për të luftuar me vendosmëri krimin dhe paligjshmëritë. Në këtë kuadër, ftojmë qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 ose në strukturat e Policisë, çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar reagim të shpejtë, në zbatim të ligjit. “

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA