Presidentja Vjosa Osmani tha se Kosova po e dëshmon me rezultate konkrete avancimin drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Pas takimit me komisionerin për zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi, Osmani tha se Prishtina ka përafruar politikën e jashtme me BE-në dhe po forcon demokracinë dhe sundimin e ligjit. Sakaq, komisioneri Oliver Verhelyi, tha se Kosova është e përkushtuar sa i përket përafrimit me BE-në por duhet përshpejtim më i madh i reformave.
Varhelyi përmendi edhe dialogun Kosovë-Serbi duke kërkuar zbatimin e marrëveshjes bazë dhe aneksin e dakorduar në Ohër, raporton KosovaPress.
Gjatë vizitës në Kosovë, Varhelyi do ta takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti. Sipas Komisionit Evropian “këto takime do të jenë një mundësi për të shqyrtuar marrëdhëniet BE-Kosovë dhe për të diskutuar zhvillimet e fundit, si dhe reformat kryesore, duke përfshirë fushën e reformës në drejtësi, tranzicionit energjetik dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.”
Është bërë e ditur po ashtu se gjatë kësaj vizite, Varhelyi dhe ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, do të lançojnë Programin për Çështjet e Brendshme BE-Kosovë, me qëllim që të harmonizohen më tej veprimet e Kosovës në zbatimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar me standardet e BE-së.
Top Channel