Të enjten betohen kryetarët shqiptarë të Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut.

Në pamundësi për të pasur qasje në objektet e komunave, tre kryetarët e rinj janë detyruar ta organizojnë ceremoninë e betimit në objekte publike në komunat përkatëse.

Asamblisti më i vjetër i Komunës së Zveçanit propozoi që ceremonia e betimit të Ilir Pecit të bëhej në Kullën e Isa Boletinit në Boletin të Zveçanit, për të përcjellë edhe një simbolikë të zgjedhjes për herë të parë të një shqiptari për kryetar komune.

Një ekip verifikues me në krye vetë Ilir Pecin gjatë së mërkurës vizitoi kullën e heroit, për të dalë pastaj në përfundim se nuk është vend i përshtatshëm për ceremoninë.

Kësisoj, të enjten në orën 10:00, Ilir Peci betohet për kryetar të Zveçanit në objektin e shkollës fillore në Boletin, bashkë me asamblistët e rinj.

Ndërkohë, kryetari i zgjedhur i Zubin Potokut, në orën 10:00 po ashtu betohet në Zyrën Lokale për Komunitete dhe Kthim në fshatin e banuar me shqiptarë, Çabër.

Ne jemi dakorduar që kjo seancë të mbahet këtu dhe do të mbahet këtu edhe punën do ta vazhdojmë nga këtu.“- u shpreh Izmir Zeqiri, kryetar i zgjedhur i Zubin Potokut.

Lulzim Et’hemi që nga zgjedhjet e 23 prillit doli i pari për të udhëhequr Leposaviqin, betimin për kryetarë do ta bëjë në objektin e shkollës fillore në fshatin Bistricë. Të enjten me fillim nga ora 13:00 betohen edhe asamblistët e rinj të kësaj komune.

Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka thënë që janë kryer të gjitha përgatitjet për ceremonitë e betimit.

Nesër do të organizohen seancat e asambleve komunale në zyrat lokale për komunitete.“- u shpreh Elbert Krasniqi, Ministër i Pushtetit Lokal, Kosovë.

Gjatë së mërkurës patrullimet e Policisë dhe KFOR-it kanë qenë të shpeshta nëpër zonat ku do bëhet betimi. Policia ka kryer edhe kontrollet e sigurisë në këto objekte.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA