Lukaku reagon ndaj racizmit, i bashkohen edhe shumë yje të futbollit

05/04/2023 15:54

Pas sfidës së djeshme midis Juventusit dhe Interit, në të cilat tensionet ishin si brenda fushe dhe jashtë saj, ka reaguar edhe sulmuesi belg i ziklatërve, Romelu Lukaku.

Ky i fundit shënoi golin e barazimit dhe gjatë festimit mori një lumë sharjesh me sfond racist, nga ana e tifozëve bardhezi.

Situata u ndez më shumë se ç’duhet, teksa arbitri ndërhyri dhe nxori jashtë Lukakun me kartonin e dytë të verdhë, ndërsa pas vërshëllimës finale, morën kartonë të kuq edhe Cuadrado e Handanovic.

Lukaku reagoi për fyerjet raciste në rrjetet sociale, duke sjellë në vëmendje edhe një rast të ngjashëm në 2019-ën në Cagliari, teksa bëri apel që Liga Italiane e Futbollit të reagojë…

“Historia përsëritet si në 2019-ën dhe vjen përsëri në 2023-shin. Shpresoj që këtë herë federata të marrë vendime të drejta. Këtë lojë duhet ta shijojnë të gjithë. Ju falënderoj për mesazhet e shumta. Vaftë në dreq racizmi”, shkruan belgu.

Në komentet e shumta që sulmuesi i Interit ka marrë, bie në sy dhe mbështetja nga lojtarët të ndryshëm si: Kevin-Prince Boateng, Thiabut Courtois, Vinicius, dhe Kylian Mbappe.

Ky i fundit mesazhin për Lukakun e përcolli për ndjekësit e tij në Instagram, duke e quajtur të papranueshme që shfaqjet raciste përsëriten edhe në vitin 2023./ SuperSport

Top Channel