Sherri në stadium mes tifozëve të Napolit, De Laurentis: Duhen ligje të forta, kemi 50 vite me këtë histori

04/04/2023 16:17

Ndeshja e fundit e Serie A mes Napolit dhe Milanit që përfundoi me triumfin e kuqezinjve 0-4, u vendos në qendër të vëmendjes edhe për atë që ndodhi në shkallët e stadiumit Maradona. Tifozët e Napolit shkaktuan trazira teksa nisën përleshjet mes tyre duke u bërë protagonist të skenave shumë të shëmtuara.

Para këtij episodi nuk mund të qëndronte indiferent edhe presidenti i të kaltërve, Aurelio De Laurentis i cili theksoi se ata që morën pjesë në trazira nuk përfaqësojë tifozerinë napoletane ndërsa u shpreh se duhen masa të forta, ashtu siç u bë në Angli me huliganët për të ndaluar akte të turpshme në shkallët e stadiumit.

“Është një histori e cila zgjat për 50 vite, nëse nuk shtrëngohen ligjet në Itali do të vazhdojmë të kemi të tilla probleme. Ata nuk janë tifozë të vërtetë, janë disa kriminelë që iu lejohet të futen në stadiume dhe të hiqen si tifozë duke turpëruar skuadrën që mbështesin. Shpresoj që të mos ketë trazira në festën e titullit sepse ajo do të zhvillohet në stadium dhe nuk dua ta mendoj një rrëmujë tjetër në Maradona.

Megjithatë, nuk dua të flas shumë për titullin. Napoletanët po festojnë kudo, por nuk dua të flas më shumë pasi jam supersticioz. Edhe pse disfata kundër Milanit nuk më shqetëson, as për Championsin, sërish në futboll ka humbje, barazime e fitore dhe llogaritë bëhen vetëm në fund.

Çmimet e biletave? Milan do të fitojë 10 milionë euro nga shitja e biletave për ndeshjen me Napolin në Champions League, ndërsa ne do të përfitojmë pesë. Bileta më e shtrenjtë në Milano është 800 euro ndërsa tek ne 500. Por dua t’ju pyes? Nëse blini një Mercedes apo një Fiat, e paguani më lirë në Napoli se në Milano? Jo, vlen njësoj në të dyja qytetet. Nëse blini një paketë cigare apo një gazetë, e blini më lirë në Napoli apo në Milano? Jo, vlen i njëjti çmim. Nuk e kuptoj këtë tendencën e italianëve që ankohen gjithnjë, duhet ta lëmë mënjanë”, u shoreh De Laurentis.

Top Channel