Moratti mbron familjen Zhang: Fondet shkojnë e vijnë, Inzaghi të harmonizojë grupin

04/04/2023 16:37

Në prag të ndeshjes mes Juventusit dhe Interit në Kupën e Italisë, ish-presidenti i zikaltërve, Massimo Moratti ka marrë në mbrojtje pronarët kinezë të klubit.

Ai deklaroi se Zhang e ka mbështetur mirë ekipin deri tani dhe i takon trajnerit të bëjë më të mirën, duke harmonizuar sjelljen e futbollistëve në fushën e lojës.

“Unë jam kundër atyre që kritikojnë Zhang. Për momentin ai është alternativa më e mirë dhe po e mbështet si duhet skuadrën, ndaj tani i takon trajnerit të harmonizojë lojtarët në fushë. Familja Zhang është shumë më e mirë sesa fondet, që shohin vetëm interesat e tyre ekonomike dhe shkojnë e vijnë, duke mos siguruar asnjëherë stabilitet”, u shpreh Moratti.

Ish-presidenti më pas komentoi edhe një rikthim të mundshëm të Antonio Conten, duke pranuar se nëse kjo ndodh, atëherë Interi do të fitojë sërish titullin kampion.

Top Channel