“Ka shumë futbollistë gay”, Jankto: E dija që kur isha i vogël, tani bëj atë që dua

01/04/2023 10:17

Ish-lojtari i Udinese në Serie A dhe që tani aktivizohet me Sparta Prague, Jakub Jankto në shkurtin e kaluar zbuloi orientimin e tij seksual duke deklaruar se ishte homoseksual.

Mesfushori së fundmi rikthehet të flasë për këtë temë duke theksuar se në botën e futbollit ka shumë të tillë, por që nuk e bëjnë publike prej frikës. Nga ana tjetër, Jankto zbulon se tashmë është i lumtur dhe mund të bëj çfarë të dojë pasi nuk ka asgjë për të fshehur.

“Unë fola hapur dhe e bëra këtë në fillim për veten, por edhe për të ndihmuar të tjerët. E dija orientimin tim që i vogël, por mendoja se do të ishte diçka kalimtare. Di të them edhe se bota e futbollit është homofobe. Deklarata ime për orientimin seksual erdhi natyrshëm dhe nuk ishte diçka e planifikuar dhe nuk më vjen keq që u shpreha hapur.

Më në fund mund të bëj atë që dua dhe jam i lumtur për këtë. A ka futbollistë të tjerë gay? Sigurisht që po, por unë nuk mund të them emra. Ka, janë dhe do të ketë edhe në të ardhmen, kur unë fola hapur më erdhën shumë mesazhe. Nuk pretendoj që edhe ata do të flasin hapur si unë, por ndoshta i kam ndihmuar sado pak dhe në të ardhmen mund të shprehen”, tha Jankto./ Super Sport

Top Channel