Korçë/Finalizohet operacioni policor “Mjeshtri”.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në DVP Korçë.
Shpërndante lëndë narkotike në doza, mbante armë zjarri dhe municion luftarak, vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër.
Sekuestrohen 1 armë zjarri automatik, 1 krehër, municion luftarak, pjesë arme dhe 55 doza të lëndës narkotike kanabis.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale të shitjes së lëndëve narkotike dhe të armëmbajtjes pa leje, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Korçë, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, finalizuan operacionin e koduar “Mjeshtri”.
Si rezultat i këtij operacioni u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi R. T. dhe filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. M., banues në Korçë.
Shtetasi R. T., është kapur nga shërbimet e Policisë në qytetin e Korçës, duke i shitur shtetasit A. M., një sasi të vogël me lëndë narkotike kanabis. Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit R. T., iu gjetën 1 armë zjarri automatik, 1 krehër, municion luftarak, pjesë arme dhe 55 doza të lëndës narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale të këtij shtetasi.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel