Totti “hedh pas krahëve” të kaluarën, elozhe për Spallettin: Me fat se nuk ishte Juventus dhe Inter

30/03/2023 09:31

Me 19 pikë më shumë se ndjekësit më të afërt, Napoli duket i sigurt në rrugën drejt titullit kampion në Itali.

Një sukses që pritet të regjistrohet për herë të parë nga sezoni i largët 1989-90, teksa skuadra e drejtuar nga trajneri Luciano Spalletti ka bindur në fushë duke shfaqur për më tepër edhe një futboll mjaft tërheqës, shumë më i ndryshëm nga ai aplikohet zakonisht në Serie A.

Elozhet për të kaltrit dhe trajnerin e saj nuk kanë munguar, dhe i fundit që flet me entuziazëm për Napolin është legjenda e Romës, Francesco Totti. Ish-futbollist nuk harron të vlerësojë Spallettin duke lënë pas edhe polemikat me ish-trajnerin e tij te Roma, teksa Totti në fund thekson se gjithsesi, te Napoli duhen edhe t’i gëzohen faktit se rivalë si Juventus dhe Inter nuk ishin pretendentë.

“Nuk e prisja një Napoli të tillë, edhe pse unë e dija mirë se ata ishin një skuadër e shkëlqyer me një trajner mjaft të zotë. Spalletti dhe Napoli përshtaten shumë mirë. Këtë sezon kanë marrë maksimumin, edhe pse më duhet të them se janë me fat që Juventus dhe Inter nuk ishin pretendent. Në kohën time, mund të bëje edhe 20 fitore radhazi, por aty ishin edhe Inter me Juventus që mund të bënin deri në 19 fitore. Këtë vit ishte ndryshe.

Roma? Nuk flas dot lirisht sepse pastaj gjykohem. Mund të arrijë në zonën Champions këtë sezon, pa lënë mënjanë edhe Europa League të ciliës për mendimin tim mund t’i shkojnë deri në fund. Me rëndësi janë rezultatet, pastaj nëse luan mirë apo jo për mua pak rëndësi ka”, u shpreh Totti.

Top Channel