Piloti italian Kimi Antonelli është shfaqur optimist dhe i motivuar në prag të Çmimit të Madh të Meksikës, teksa synon të kurorëzojë një sezon të jashtëzakonshëm në Formula 1 me fitimin e titullit kampion.

Pas fitores së nëntë sezonale, të arritur javën e kaluar në Teksas, piloti i Mercedesit deklaroi se dëshiron ta sigurojë kampionatin me një paraqitje të madhe, duke theksuar se synimi i tij mbetet të shijojë çdo moment të këtij rrugëtimi.

“Jam shumë i emocionuar. Do të doja ta fitoja titullin me stil, me një rezultat të shkëlqyer. Ky është mentaliteti. Gjithmonë ka qenë kështu dhe do të jetë nga tani e deri në fund të sezonit. Do të përpiqem thjesht të shijoj çdo moment, sepse këto janë momente që do të qëndrojnë me mua përgjithmonë”, u shpreh Antonelli.

Nëse arrin të fitojë titullin,  ai do të bëhet piloti i parë italian që shpallet kampion bote në Formula 1 që nga Alberto Ascari, i cili e fitoi këtë trofe për herë të fundit në vitin 1953.

Edhe Mercedes ka një objektiv të rëndësishëm për garën e së dielës. Skuadra gjermane ka mundësinë të sigurojë titullin e konstruktorëve për herë të parë që nga viti 2021. Për ta arritur këtë, Antonelli dhe George Russell duhet të grumbullojnë një numër të konsiderueshëm pikësh, ndërsa Ferrari, që aktualisht mban vendin e dytë në renditje, duhet të ketë një fundjavë me rezultate shumë të dobëta.

Çmimi i Madh i Meksikës pritet të jetë një tjetër provë e rëndësishme për Antonellin, i cili po synon të shkruajë emrin e tij në historinë e Formula 1.

Top Channel