Milani i “dashuruar” me Ibrahimovic, drejtuesit i ofrojnë kontratën e re

29/03/2023 16:48

Në tetorin e këtij viti Zlatan Ibrahimoviç do të mbushë 42 vjeç, por kjo shifër duket se nuk u intereson drejtuesve të Milanit.

Sipas mediave italiane, kuqezinjtë duan që të rinovojnë edhe për një vit tjetër me shtatlartin suedez, i cili së fundmi u rikthye dhe në kombëtaren e tij.

Drejtuesit i kanë ofruar një kontratë të re dhe për edicionin e ardhshëm me detaje financiare të ngjashme me kontratën e fundit, ku suedezi përfitoi 1.5 milionë euro neto në sezon. Vetë sulmuesi ndihet i lumtur në Milano dhe gjasat janë që ai edhe për një vit tjetër të qëndrojë me kuqezinjtë.

Gjatë këtij edicioni Ibrahimoviç është aktivizuar vetëm në 4 ndeshje në Serie A, duke shënuar dhe 1 gol, por suedezi ka patur probleme fizike që e kanë kushtëzuar deri më tani.

Ai pritet që të jetë I gatshëm për pjesën e mbetur të sezonit, por drejtuesit duan që ai të jetë dhe edicionin e ardhshëm duke vlerësuar më së shumti ndikimin që ka shtatlarti në dhomat e zhveshjes, ku është një lider i padiskutueshëm.

Top Channel