Sezoni nis ters për Marquez, spanjolli operohet dhe humbet Çmimin e Madh të Argjentinës

27/03/2023 13:23

Vetëm gara e parë e sezonit në Moto GP, por Marc Marquez nuk ndryshon sjellje në pistë.

Piloti spanjoll ishte protagonist por në një mënyrë të shëmtuar në Çmimin e Madh të Portugalisë teksa gaboi në një prej kthesave të pistës dhe pasi humbi kontrollin e motorit Honda, përfundoi duke u përplasur me pilotin e Aprilias, Miguel Oliveira.

Rrëzimi ishte i fuqishëm dhe përplasja në tokë bëri që gjashtë herë kampioni i botës të pësonte një dëmtim në dorën e djathtë. Një dëmtim që pati nevojë për ndërhyrje kirurgjikale teksa tashmë piloti spanjoll është i detyruar të mungojë në garën e radhës që zhvillohet në Argjentinë.

Kujtojmë se këtë sezon, Marquez kërkon të rikthehet te triumfi në Botërorin e Moto GP duke qenë se vitin e kaluar u penalizua nga problemet në shpatull duke munguar në një pjesë të madhe të garave./ SuperSport

Top Channel