Ngjarja e rëndë në Top Channel/ Presidenti Duka: Organet e shtetit të zbardhin ngjarjen, ngushëllime familjarëve të të ndjerit

27/03/2023 17:29

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në ‘Top Channel’ pak orë pas mesnatës.

Në një postim në rrjetet e tij sociale, kreu i Federatësh Shqiptare të Futbollit ka shprehur ngushëllimet familjes e miqve të rojes, Pal Kola, i cili mbeti i vrarë nga ky akt i paprecedentë.

Ndër të tjera, Presidenti Duka shkruan se organet e shtetit duhet të reagojnë për të zbardhur ngjarjen e rëndë, ndërsa shpreh solidaritetin e tij dhe të FSHF-së me të gjithë personelin e gazetarët e televizionit.

“Mora vesh i trishtuar aktin e paprecedentë të breshërisë me armë ndaj Top Channel me pasojë humbjen e jetës së një personi. Në emrin tim personal dhe në emër të FSHF shpreh ngushëllimet për familjarët e miqtë e të ndjerit.

Në këtë moment është koha e organeve të shtetit të reagojnë në mënyrë të menjëhershme për të zbardhur ngjarjen e për të gjetur përgjegjësit e saj. Federata Shqiptare e Futbollit solidarizohet me gazetarët e personelin e televizionit me të cilin kemi qenë dhe do jemi gjithmonë partnerë.

Top Channel, televizioni i krijuar si vitrinë e lirisë, përgjegjësisë, të vërtetës dhe guximit nuk do te duhet të dekurajohet nga ngjarje të tilla sado të tmerrshme qofshin ato”– shkruan Presidenti Duka në rrjetet e tij sociale.

Top Channel