Giresse: Me Izraelin morëm rezultat pozitiv, ndaj Andorrës duam fitore

27/03/2023 17:36

Pas barazimit 1-1 në Izrael, Kosova do të presë këtë të martë në “Fadil Vokrri” Andorën, për sfidën e dytë eliminatore të EURO 2024 që do të luhet në orën 20:45.

Duke folur në konferencën për mediet në prag të këtij takimi trajneri Alain Giresse u shpreh se ndaj Izraelit u mor rezultat pozitiv, ndërsa më tej shton se ndonëse nuk duhet nënvlerësuar ndaj Andorës kërkohet fitorja.

Situata në skuadër: “Vijmë nga një rezultat pozitiv dhe do tentojmë që ta mbajmë këtë ecuri pozitive edhe ndaj Andorës.”

Rezultati me Izraelin“Rezultatin me Izraelin mund ta quaj pozitiv edhe pse mund të kishim marrë edhe fitore. Ekipi bëri një paraqitje të mirë.”

Formacioni: “Formacionin nuk mund ta tregoj, pasi nuk dua që kundërshtari ta marrë vesh kurrsesi sesi do luajmë. Nuk do ta zbuloj kush do të luajë, madje as lojtarët nuk e dinë.”

Problemet e skuadrës së Kosovës: “Pjesën e parë e kemi nisur me vetëm një mesfushor qendror më konkretisht me Dresevic dhe kjo ka prishur pak punë, ndryshe nga pjesa e dytë, kur kemi pasur dy mesfushor qendrorë.”

Andora, kundërshtar i dobët: “Nuk duhet neglizhuar Andora dhe nuk duhet konsideruar e dobët. Ka pak rëndësi kë kemi përballë, i rëndësishëm është kompeticioni në të cilin luajmë, ndaj duhet treguar seriozitet.”

Situata te Federata e Kosovës: “Nuk na intereson pjesa politike, ne përgatitim ndeshjen dhe kjo është ajo që na intereson ne, kjo është situata.”

Mesfusha: “Kemi pasur vështirësi në mesfushë dhe mendoj se kemi vuajtur, ndoshta me Andorën do e fillojmë ndryshe.”

A do fitoni, nëse jo cilat janë pasojat? “Cila do të jenë pasojat nëse nuk fitojmë nuk mund ta di, por e sigurt është që në e nisim këtë sfidë për fitore. Të gjithë janë të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij takim.”

Paqarada: “Jam i lumtur që Paqarada është kthyer në Kombëtare ashtu si edhe ai vetë, jam i lumtur me performancën e tij dhe me shpirtin luftarak që tregon në fushën e lojës.”

Lojtarë të rinj për mesfushën? “Jo vetëm sa i përket mesfushës në përgjithësi ne po punojmë për të sjellë lojtarë të rinj, pastaj mos të harrojmë se ka lojtarë me dy shtetësi që hezitojnë.”/ Super Sport

Top Channel