Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, janë përplasur këtë të premte në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transferta sa i përket Trustit Pensional.
Teksa po diskutonin për çështjen e emërimit të Bordit të Trustit, Hoti i kërkoi Muratit që në diskutim të jetë serioz e të mos ‘zgërdhihet’.
“Ministër, unë e di që je shumë i papërgjegjshëm. Me pas pak përgjegjësi institucionale dhe njerëzore, ti duhet me u ndi në faj para qytetarëve dhe këtij komisioni. Kur të flas, të kisha lutur të jesh shumë serioz. As mos me ndërhyj, as mos m’u zgërdhi kur të flas. Ti e di që unë nuk të respektoj fare, por je ministër dhe duhet të japësh përgjegjësi për çështje që unë i ngris si deputet”, deklaroi Hoti.
Sakaq, ministri Murati i mohoi këto akuza, duke thënë se në Komision është shumë serioz dhe se Trusti Pensional po i humbet qeverisë miliona euro.
“Në pyetjen e zotit Hoti dua t’i them se nuk mund të përgjigjemi se a jemi pajtuar apo jo për konkursin, sepse ne jemi njoftuar vetëm kur është përmbyllur procesi i konkursit. Për atë pozitë kanë aplikuar 47 persona, 26 persona kanë qenë ndërkombëtarë apo të paktën me përvojë ndërkombëtare”.
“Janë bërë disa deklarata se Trusti po humb, ngase ministri i Financave apo Auditorja nuk po mund ta krijojnë Bordin. Është totalisht e papranueshme kjo propagandë që është bërë”, u përgjigj Murati.
Top Channel