Takimi Sunak-Rama/ Qeveria britanike: Komuniteti shqiptar në Britani jep kontribut të rëndësishëm

23/03/2023 21:03

Kryeministri Rama dhe homologu britanik Rishi Sunak pas takimit kokë më kokë janë dakordësuar për një sërë çështjesh.  

Siç bëhet me dije nga komunikata zyrtare e Downing Street të dy kryeministrat vunë në pah mundësitë e shumta në tregti, investime dhe teknologji, ndërsa kryeministri Sunak mirëpriti edhe njëherë kontributin e rëndësishëm të komuniteti shqiptar  të Mbretërisë së Bashkuar në jetën britanike.

Britania do t’i ofrojë ndihmë Shqipërisë për të përmirësuar kapacitetet e mbrojtjes nga kërcënimet kibernetike, ndërsa të dy vendet si aleatë të NATO-s dhe bashkë-anëtarë në Këshillin e Sigurisë të OKB-së treguan përkushtim për një përgjigje të fuqishme ndërkombëtare ndaj agresionit rus në Ukrainë.

Të dy vendet do të thellojnë bashkëpunimin në ndalimin e emigrantëve të paligjshëm dhe goditjen e rrjeteve kriminale. Shqipëria tashmë përveç task-forcës së ngritur në dhjetor me këtë fokus, do të nënshkruajë marrëveshje të mëtejshme për shkëmbimin e të dhënave dhe pasaportave.

Kryeministrat gjithashtu ranë dakord që të ngrenë një ekip të përbashkët mes dy vendeve që do të kryejë një vlerësim të kapaciteteve të burgjeve të Shqipërisë,  një proces që do të përfundojë deri në fund të prillit, me qëllim kthimin e të gjithë shtetasve të përcaktuar shqiptarë në sistemin e burgjeve të Mbretërisë së Bashkuar.

Sa i përket bashkëpunimit ekonomik dy liderët vlerësuan hapjen e Dhomës së re tregtare britanike në Shqipëri, ndërsa Britania për të lehtësuar investimet në Shqipëri do të dyfishojë fondin e gatishmërisë për përballimin e rrezikut të tregut për financimin e eksporteve britanike në 4 miliardë stërlina. Të dy kryeministrat u zotuan për thellimin e lidhjeve mes universiteteve të Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA