“Ne jemi napolitanët e anës tjetër”, Rama në ceremoninë e hapjes së Konsullatës Shqiptare në Napoli: Kemi hapur një derë mes dy realiteteve të afërta
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Balliu e cilëson këtë si një moment kritik për drejtësinë dhe shprehet se procesi nuk duhet të çojë në atë që ai e quan “një padrejtësi të dytë historike ndaj shqiptarëve të Kosovës”.
Në reagimin e tij, deputeti ngre akuza për mënyrën e funksionimit të institucionit dhe kërkon që drejtësia të mos jetë selektive. Në fund të postimit, Balliu shpreh mbështetjen e tij për UÇK-në dhe Kosovën.
Mesazhi i plotë:
Sot është një moment historik dhe kritik për të vërtetën.
Prej vitesh, heronjtë e luftës çlirimtare të Kosovës mbahen padrejtësisht peng nga një proces gjyqësor që rëndon mbi një institucion ku, sipas të dhënave të bëra publike, rreth 80% e stafit janë serbishtfolës.
Akuzat ndaj tyre për krime lufte janë jo vetëm absurde, por rrezikojnë të shndërrohen në një padrejtësi të dytë historike ndaj shqiptarëve të Kosovës: ndaj foshnjave të vrara në djep, nënave dhe motrave të përdhunuara e të torturuara, familjeve të masakruara dhe atyre burrave që morën armët për të mbrojtur shtëpinë, familjen dhe tokën e tyre nga një pushtues brutal.
Në atë kohë, bota heshti me turp. Derisa Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre thanë: MJAFT! Dhe ndërhynë për të çliruar një tokë që po digjej nga barbarizmi.
UÇK-ja ishte formacioni i shpresës për një Kosovë të lirë, demokratike dhe të orientuar drejt Perëndimit. Sot, Kosova është një nga demokracitë më të konsoliduara në rajon, ndërsa Serbia vazhdon të qeveriset nga një establishment që glorifikon të kaluarën kriminale të regjimit të Millosheviçit, nderon figura të lidhura me krimet e luftës dhe toleron retorikën nacionaliste e kërcënimet ndaj fqinjëve.
Është një ironi e dhimbshme e historisë që në Hagë të gjykohen ata që luftuan për të mbrojtur popullin e tyre, ndërsa figura të regjimit që urdhëroi dhe propagandoi luftërat e përgjakshme të viteve ’90 vazhdojnë të luajnë role në politikën serbe.
Sot, në sytë e Zotit, të kombit shqiptar dhe të çdo qytetari që beson te liria, demokracia dhe vlerat perëndimore, duhet thënë qartë: drejtësia nuk mund të jetë selektive.
Gjykata Speciale sot nuk vendos vetëm për fatin e disa prej figurave kryesore të UÇK-së. Ajo vendos edhe për fatin dhe kredibilitetin e vet.
A do të mbetet një gjykatë e drejtësisë dhe e së vërtetës, apo do të mbahet mend si një gjykatë që relativizoi viktimën dhe vendosi në bankën e të akuzuarve ata që luftuan kundër një regjimi gjenocidal?
Historia nuk mund të rishkruhet.
Rroftë UÇK-ja!
Rroftë Kosova!
Rroftë kombi shqiptar!
Top Channel