Dënimet individuale për katër ish-liderët e UÇK, çfarë pritet të ndodhë më pas
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallin sot aktgjykimin e shkallës së parë për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, në procesin gjyqësor për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Gjatë leximit të arsyetimit, trupi gjykues foli për rolin që, sipas konstatimeve të tij, kanë pasur të akuzuarit dhe persona të tjerë në udhëheqjen e UÇK-së.
Sipas trupit gjykues, katër të akuzuarit dhe persona të tjerë në udhëheqjen e UÇK-së, përfshirë persona të pretenduar si anëtarë të NKP-së, kishin dy objektiva: pavarësinë e Kosovës dhe vendosjen e kontrollit politik dhe institucional mbi Kosovën që synohej të ishte e pavarur.
Trupi gjykues tha se këto objektiva synohej të realizoheshin përmes mjeteve ushtarake, politike dhe të tjera. Gjykata theksoi se nuk e konsideroi të nevojshme të përcaktonte nëse këto dy objektiva ishin në vetvete kriminale apo të paligjshme.
Sipas aktgjykimit, në përpjekje për realizimin e këtyre qëllimeve, një element kyç i mjeteve dhe strategjisë së udhëheqjes së UÇK-së ishte, sipas gjykatës, shënjestrimi, eliminimi ose neutralizimi i personave që konsideroheshin pengesë për këto qëllime.
Në arsyetimin e tij, trupi gjykues renditi një sërë faktorësh që, sipas tij, mbështesin ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal. Mes tyre u përmendën shënjestrimi dhe vrasja e shqiptarëve të dyshuar si bashkëpunëtorë dhe e serbëve etnikë, përdorimi i komunikatave dhe deklaratave politike për marrjen e përgjegjësisë për sulme dhe vrasje, si dhe paralajmërimet ndaj kundërshtarëve.
Gjykata përmendi gjithashtu përdorimin e luftës speciale, përsëritjen e mesazheve të komunikatave nga Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, si dhe rolin e Policisë Ushtarake dhe shërbimit të zbulimit në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar si bashkëpunëtorë. Në arsyetim u përmendën edhe qendrat e ndalimit, listat e personave të dyshuar dhe, sipas trupit gjykues, praktika të ngjashme të krimeve në objektet e ndalimit.
Trupi gjykues tha gjithashtu se kishte pasur tolerancë, pranim dhe mosndëshkim të krimeve të kryera ndaj kundërshtarëve nga anëtarë të NKP-së, sipas konstatimeve të tij.
Në përfundim të kësaj pjese të arsyetimit, gjykata theksoi se përgjegjësia është individuale dhe personale.
“Përgjegjësia është individuale dhe personale. Ajo që ata bënë nuk do të mund të ishte realizuar nga një person i vetëm. Ata e bënë bashkë me vendosmëri dhe me ndihmën e të tjerëve. Ata ranë në marrëveshje për qëllimin e përbashkët kriminal dhe vendosën të krijonin një sistem për realizimin e tij”, thuhet në arsyetimin e lexuar nga trupi gjykues.
Top Channel