Gjobitja 3 herë e një biznesi nga Inspektorati Ndërtimor në Krujë ka çuar para prokurorëve të SPAk kryebashkiakun e Krujës Artur Bushi.

Këtë të premte ai u pyet për rreth 2 orë nga hetuesit pas kallëzimit të një qytetari të identifikuar si Muharrem Hoqja, i cili pretendon se është gjobitur 35 milionë lekë nga inspektorati ndërtimor, i cili është ndikuar nga kryebashkiaku duke shpërdoruar detyrën.

Pasi u pyet për rreth dy orë, ai nuk pranoi pranoi të flasë për mediat. “U thirra për një gjë pa rëndësi”, tha ai pa pranuar të zbulojë arsyen.

Më vonë, vendosi të shpjegohej në rrjetet sociale:

“Duke respektuar strikt procedurën hetimore dhe në respekt të informimit të publikut aq sa më lejon ligji, dua të bej me dije se sot kam qenë në zyrat e SPAK për të dhënë dëshminë time në lidhje me kallëzimin e një qytetari nga Kruja (Muharrem Hoqja) i cili ka pretendimet për sulm personal të kryetarit të bashkisë në lidhje me zbatimin e ligjit ndaj tij për tre ndërtime pa leje të bëra nga ky shtetas dhe masat ligjore të marra ndaj tij.

Dhashë shpjegimet e mia në përgjigje të ftesës së prokurorisë dhe do të vij sa herë që do jetë e nevojshme prania ime sepse unë nuk i shmangem të vërtetës dhe ligjit. Çdo aludim tjetër dashakeq në media apo portale e quaj pjesë të fushatës politike të 14 majit, e cila tashmë ka filluar dhe për fat të keq, dhe në këtë fushatë opozita ka zgjedhur baltën dhe dezinformimin e publikut”.

Nga drejtuesit vendor Artur mbushi mban numrin më të lartë të kallëzimeve pasi ndaj tij ka pasur 7 të tilla disa prej të cilave nuk kanë filluar e të tjera janë deleguar në prokuroritë Krujë.

Top Channel