Çmimi i naftës është ulur me gjashtë lekë, tashmë do të shitet 189 lekë/ litri, nga 193 lekë që ishte më parë.

Vendimet e Bordit të Transparencës përcaktojnë një çmim më të ulët edhe për benzinën, e cila do të shitet 186 lekë për litër, pra katër lekë më pak nga ai i mëparshmi 190.

Çmimi i gazit është ulur me katër lekë, pra nga 80 lekë për litër, do të shitet 76 lekë/ litër.

Njoftim i plotë:

Vendimet e Bordit të Transparencës në datë 14 Mars 2023 kanë ndryshime të çmimit nga ai i përcaktuar në mbledhjen e fundit.

Referuar të dhënave lidhur me bursën Platts të datës 13.03.2023, kemi ndryshime të çmimit nga ai përcaktuar në mbledhjen e fundit, konkretisht rezulton se çmimi (FOB/MED $ Ton) i Benzinës është 829, -30 nga data 7.03.2023, $/ Ton, ndërsa çmimi i Gazoilit/Diesel është 790, -29 nga data 7.03.2023, $/Ton. Kursi i këmbimit i BSH ka pësuar ulje në 107.25 (-0.76 nga data 7.03.2023).

Si rrjedhojë çmimet e vendosura janë :

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 189 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 177 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 186 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 174 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 76 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 64 lekë/litër për automjetet.

Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 95 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hyjnë në fuqi në datë 14 Mars 2023, ora 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Bordi i transparencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës.

Top Channel