Policia Rrugore rrit kontrollet/ 8 shoferë në pranga, qindra ndëshkime për shpejtësinë dhe përdorimin e celularit 

12/03/2023 13:22

Gjatë një javë janë arrestuar 8 shoferë si pasojë e shkeljes së rregullave të qarkullimit dhe janë pezulluar 109 leje drejtimi. 

Kjo javë ishte fatkeqësisht e mbushur me aksidente rrugore, ku i mori jetën shumë personave ndër to edhe aksidentit fatal në Sauk ku humbën jetën tre të rinj. Gjithashtu edhe një 24 orësh që shënoi 6 viktima bëri që policia të marrë më shumë masa dhe të rrisë kontrollet për parandalimin e pasojave dhe që rregullat e qarkullimit të respektohen.

Gjatë kontrolleve lejet e drejtimit janë pezulluar pasi 83 persona ishin në shpejtësi mbi normave të lejuara në akset kryesore nacionale dhe në qendrat urbane, 22 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 4 për qarkullim në sens të kundërt.

Nga të arrestuarit 6 u ndëshkuan për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 2 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Ndëshkime më së shumti ka pasur për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit, ku janë kapur 628 drejtues. 234 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi, në qendrat e banuara janë ndëshkuar por pa sanksionin e pezullimit të lejes së drejtimit.

Gjithashtu edhe mosvendosja e rripit të sigurimit shihet problematike pasi 395 drejtues mjetesh janë ndëshkuar. 103 drejtues motomjetesh janë ndëshkuar për mosvendosje të kaskës mbrojtëse dhe të shenjave sinjalizuese gjatë natës.

211 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për parakalime të gabuara dhe 6 për manovra të gabuara apo gara shpejtësie.

Këto kontrolle janë kryer duke përdorur makinat inteligjente, radarët automatikë, dronët, dragerat, kamerat dhe makinat e pauniformuara,

Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të moderojnë shpejtësinë, të vendosin rripin e sigurimit, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara.

Top Channel