Zjarri u mori shtëpinë, familja në qiell të hapur! Me ndihmën e “Fiks Fare” bashkia i dëmshpërblen

10/03/2023 20:40

Në fashatin Toç të Njësisë Administrative Qesaratë, Bashkia Memaliaj çifti i të moshuarve bashkë me djalin me probleme të shëndetit mendorë jetojnë në qiell të hapur.

Të moshuarit  Refije dhe Hyso Hoxha, bashkë me të birin Kreshnikun 41 vjeçar me probleme të shëndetit mendor, prej më shumë se 2 javësh jetojnë në qiell të hapur si pasojë e një zjarri që përfshiu banesën e tyre duke shkrumbuar gjithçka që ata kishin.

Çifti i të moshuarve thonë se shkak i flakëve u bë një bombul gazi që kishte shpërthyer, por fatmirësisht ata kishin arritur të shpëtojnë. Refija tregon se bashkë me çdo gjë tjetër u dogjën dhe 6 milion lekë të vjetra nga kursimet që kishin.

Ata thonë se jetesa e tyre është shumë e vështirë, djali i tyre Kreshniku 41 vjeçar vuan nga probleme të shëndetit mendor i cili trajtohet me kemp dhe shuma që ai merr është e pamjaftueshme. Familja Hoxha kërkon mbështetje që të rikthejnë edhe një herë në gjendje të mëparshme shtëpinë e tyre.

Gazetarët e Fiks Fare ju drejtuan bashkisë Memaliaj ku Blenduar Caushi drejtor i Emergjencave Civile thotë se në lidhje me rastin e familje Hoxha kanë shkuar në vendngjarje ku kanë kryer te gjitha proçedurat e nevojshme.

“Dëmet janë të shumta, por sot bashkia në mbledhjen e këshillit mori vendimin për miratimin e dëmshpërblimit dhe mbështetjen financiare të familjes si pasojë e dëmeve nga zjarri. Shuma totale që kësaj familje i takon është 7.303.86 lekë të vjetra, por kjo ndihmë parashikohet sipas VKM 329 e vitit 2012 ku thuhet se qytetari merr 50% të shumës së përllogaritur në përfundim mbeten  365.193 lekë të vjetra.

E dimë që ndoshta nuk i mjaftojnë, por kështu parashikohet në ligj” përfundon drejtori.

FOTO GALERI
6/8

Top Channel