Kur na ndajnë vetëm pak javë nga fillimi i fushatës zgjedhore në të cilën dhe policia ka një rol të veçantë në mbarëvajtjen e gjithë procesit dhe ka nisur të trajnohet drejtori i përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku ka firmosur disa ndryshime.

Kështu në krye të policisë së Elbasanit shkon zëvendësdrejtori Ilir Proda ndërsa Ardian Çipa emërohet drejtor në Gjirokastër duke zëvendësuar Bledar Çelikun i cili u emërua këshilltar i drejtorit të përgjithshëm.

Me ardhjen e Muhamet Rrumbullakut në krye të policisë, u ngrit një strukturë e veçantë e quajtur këshilli i emërtesës që supozohej të vlerësonte punën e drejtuesve të policisë dhe të bënte emërimet e reja. Në rastin e fundit është e paqartë se në çfarë gjetjesh është bazuar në ndryshimet në policinë e Elbasanit duke qenë se kohët e fundit ky qark ka pasur performancë të mirë dhe një rënie të ndjeshme të ngjarjeve kriminale.

Prej shumë vitesh tashmë, pavarësisht kush e drejton policinë emërimet në pjesën më të madhe nuk bazohen në performancë dhe gjithmonë ka një rokadë ku janë të njëjtët emra por ndryshohen vetëm institucionet që drejtojnë. Për të tjerët që nuk gjykohet të jenë pjesë e rokadës dërgohen në akademi.

Ndryshimet vijnë në një kohë kur vetëm një ditë më parë agjencia e SHBA Kundër Narkotikëve njofton një linjë të re sinjalizimi për Shqipërinë. Tashmë DEA nuk mjaftohet vetëm me partneritetin me Policinë shqiptare për të marrë informacione në lidhje me trafikantët me origjinë shqiptare, por ka vënë në dispozicion një numër telefoni për të kontaktuar në whatsapp dhe një adresë emaili për cilindo shtetas shqiptar që ka informacion apo prova për trafik droge. Ky është rast i parecedentë kur një agjenci e shteteve të bashkuara merr një inisiativë që të kontaktojë direkt qytetarët shqiptarë të cilët kanë të dhëna për trafikun e drogës dhe krimin e organizuar në Shqipëri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA