22 500 ton naftë të sekuestruara për thyerje të embargos, Gjykata e Durrësit la “arrest në burg” kapitenin rus të anijes me 25 500 ton naftë.
Gjatë një seance gjyqësore që u zhvillua me dyer të mbyllura gjykata la në fuqi kërkesën e prokurorit të çështjes. Organi i akuzës ka kërkuar kohë për të vijuar hetimet ndërsa avokati mbrojtës i kapitenit rus e vlerësoi absurde masën shtrënguese të sigurimit personal të kapitenit që akuzohet për kontrabandë me mallra të akcizës dhe tregtim e transport të mallrave kontrabandë. Gjyqtari Markeljan Koça e vleftësoi të ligjshëm ndalimin e Aleksei Smaznov dhe caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për të.
Sipas avokatit, kapiteni nuk ka tagër të konsumojë veprën penale të kontrabandës së naftës dhe nuk ka të dhëna ta ketë kryer pasi anija ndodhet në radhë.
Anija cisternë me flamur liberian nuk është futur në kalatë për shkak të problemeve që u konstatuan nga autoritetet në dokumentacion, ndërsa mbrojtja e rusit deklaron se nafta është ngarkuar në një vend të BE-së, Greqi që do të kishte reaguar nëse do të kishte elementë të thyerjes së embargos.
Ndërkohë nuk ka elementë të veprave penale, parashikuar në nenet 172 dhe 178 të Kodit Penal, për të cilat akuzohet kapiteni i anijes që vijon të mbahet e bllokuar në Durrës.
Top Channel