Rusia fajëson ‘terroristët’ ukrainas për sulme provokuese në kufirin mes vendeve (fotot)

02/03/2023 18:46
Keshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak

Kremlini tha sot se Rusia është sulmuar nga “terroristë” pas raportimeve konfliktuese për luftime në rajonet lindore ukrainase të Bryansk e Kursk, për të cilat mediat ruse fajësonin “grupe sabotazhi”, ndërsa burimet ukrainase i quanin “provokime” nga Moska.

Raportimet për luftime në kufirin pranë Ukrainës nisën mëngjesin e sotëm, kur kreu i rajonit Bryansk pretendonte se “një grup sabotazhi hapi zjarr ndaj një mjeti në lëvizje, duke lënë të vdekur një rezident e duke plagosur një fëmijë 10-vjeçar”.

Të tjera raportime që thonin se njerëz po mbaheshin peng apo se ishte hapur zjarr ndaj një autobuzi shkolle, u hodhën poshtë nga të dyja palët.

Shërbimet ruse të sigurisë FSB thanë se kishin nisur një “operacion për të shkatërruar grupe ukrainase që kishin shkelur kufirin”.

Zëdhënsi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se presidenti Putin, do të mbante një takim me këshillin e sigurisë për çështjen.

“Ne po flasim për një sulm terrorist. Kemi marrë masa për t’i eliminuar ata,” tha ai.

Ndërsa në Ukrainë raportimet e interpretonin ngjarjen si një “false flag” (sulm i inskenuar), i nisur nga Rusia për të diskredituar forcat e armatosura të Ukrainës.

“Lajmi për grupin e sabotazhit nga Ukraina në Rusi është një provokim i qëllimshëm”, tha  Mykhailo Podolyak, këshilltari i presidentit të Ukrainës. “Rusia kërkon të justifikojë sulmin ndaj një vendi tjetër dhe rritjen e varfërisë një vit pas luftës, por lëvizja partizane në Rusi po bëhet gjithnjë e më e fortë”.

I pyetur nëse Rusia do të ndryshojë statusin e “operacionit special ushtarak” pas këtyre sulmeve, Peskov tha: “Nuk e di, nuk mund të them asgjë tani.”

Nuk ka ende prova video ose foto të luftimeve për të konfirmuar vdekjen, por në postimet online, një grup paramilitar që e quan veten Trupat Vullnetare Ruse pretendonte se kishte kaluar kufirin për të hyrë në Rusi, sepse “është koha që qytetarët rusë të kuptojnë që nuk janë skllevër”.

Në një video dukej se shihej Denis Kapustin, një tifoz huligan ekstremist futbolli në Rusi që fliste para një klinike në Liubechane, pranë kufirit të Ukrainës./TheGuardian/

FOTO GALERI
1/4
Mediat ruse fajësonin “grupe sabotazhi”, ndërsa burimet ukrainase i quanin “provokime” nga Moska.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA