Shtetet e Bashkuara thanë se marrëveshja mbi udhërrëfyesin e zbatimit të planit evropian është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, ndërsa përparimi drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, thelbësor për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës.
Të hënën Bashkimi Evropian tha se udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u pajtuan për një marrëveshje të mbështetur nga Perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk pati nënshkrim dokumenti për shkak të mospajtimeve për zbatimin e saj, që do të kërkojë me shumë bisedime.
“Takimi i djeshëm ishte një hap i mirë përpara, por mbetet një punë e vështirë. Marrëveshja mbi planin e zbatimit është thelbësore për normalizimin sipas propozimit të BE-së. Përparimi drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një vend sovran, shumetnik dhe i pavarur i integruar në strukturat euroatlantike”, thuhet në një deklaratë të Departamentit amerikan të Shtetit.
Më herët gjatë së martës i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se pas pajtimit të një nate me parë, palët duhet të fillojnë menjëherë diskutimet për zbatimin e propozimit evropian por edhe përmbushjen e marrëveshjeve të deritashme, përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Bashkimi Evropian paralajmëroi takime të reja në kuadër të diskutimeve rreth zbatimit të propozimit evropian që nuk përfshinë njohjen e ndërsjellë, ndonëse kërkohet që palët të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të njëra-tjetrës.
I dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak pritet të vizitojë të dyja vendet për të diskutuar planin e zbatimit të marrëveshjes sipas propozimit evropian para se të organizohet takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Ai dhe i dërguari amerikan Escobar thanë se diskutuan në Bruksel “për të bashkërenduar hapat në prag të takimit të ardhshëm. U pajtuam për rëndësinë e marrëveshjes për modalitetet e zbatimit dhe nevojën për të zbatuar të gjitha marrëveshjet ekzistuese”, shkroi zoti Lajcak.
Kryeministri Kurti tha ndërkaq se takimi i së hënës “konfirmoi që kemi të bëjmë me një platformë solide për të ecur përpara dhe gjithçka që na mundëson ecjen përpara është pozitive”.
Top Channel