“I turrem topit sikur të ishte ushqim”, Casemiro: Pse lashë Realin për United

28/02/2023 09:06

Të shumtë ishin ata që menduan se Casemiro la Realin e Madridit për t’u transferuar te Manchester United për para dhe një “pension” të qetë. Por, “luftëtari” brazilian është rikthyer shumë shpejt në liderin e “Djajve të Kuq”.

31-vjeçari formon i vetëm një repart, dominon kundërshtarët dhe nuk pushon kurrë së vrapuari dhe fituari. Skuadra e Ten Hag mposhti Newcastle në finalen e Kupës së Ligës, duke fituar një trofe pas gjashtë vitesh. Kjo ishte kupa numër 21 në karrierën e një prej “shkatërruesve” më të mirë të viteve të fundit.

Casemiro e shijoi në maksimum trofeun e parë anglez. Ai është idhulli i ri i “Old Trafford”, ndërkohë që pas finales nuk munguan elozhet nga trajneri Ten Hag. “De Gea, Varane dhe Casemiro janë tre lojtarët vendimtarë në ‘rilindjen’ e United.

Është e nevojshme të kesh lojtarë të tillë për të udhëhequr skuadrën. Ata më shërbejnë dhe ndihmojnë edhe mua si trajner. Nuk flas vetëm në aspektin teknik, por sidomos për mentalitetin fitues që sjellin në dhomat e zhveshjes”, u shpreh holandezi.

Vetë mesfushori i kombëtares braziliane, ka zbuluar për TNT Brasil sekretin e formës së tij fantastike.

“Kush më njeh e di që unë e ndjek topin sikur të ishte një pjatë me ushqim… I turrem çdo topi sikur të ishte i fundit. Lashë një klub të madh për të ardhur në Angli. Njerëzit më pyesnin se pse veprova ashtu. Përgjigja është e thjeshtë: për të shijuar momente si ky i fitimit të Kupës së Ligës”, theksoi Carlos Henrique Jose Francisco Venancio Casimiro, i njohur nga të gjithë thjesht si Casemiro.

Top Channel