Tetë vjetori i vrasjes së politikanit të opozitës ruse Boris Nemtsov

27/02/2023 21:13

Mbështetësit e udhëheqësit të njohur të opozitës ruse Boris Nemtsov, i cili u vra tetë vjet më parë pranë Kremlinit, vendosën lule në vendin e vrasjes së tij të hënën.

Nemtsov ishte një nga kritikët më të fortë të Presidentit rus Vladimir Putin përpara se të vritej dhe ka bërë thirrje për ndryshime demokratike në vend. Boris Nemtsov, i cili ishte 55 vjeç dhe një nga kritikët më të zëshëm të Presidentit Vladimir Putin, u vra në vitin 2015, ndërsa po ecte mbi një urë pranë Kremlinit, pasi kishte darkuar me të dashurën e tij.

“Ai ishte një person shumë i mirë, i cili e dinte se si mund të bëhej Rusia një vend njerëzor. Ai duhet të ishte president i vendit. Nëse ai do të ishte president, gjërat e frikshme që po na ndodhin tani nuk do të kishin ndodhur”, thotë Elena, një nga personat që u mblodhën në Moskë për të nderuar politikanin e vrarë.

“Nuk ka më njerëz si ai”, thotë Anatoly Shein, një tjetër banor i Moskës.

“Më ka pëlqyer shumë ky politikan. Ai mbështeste lirinë e Rusisë. Përpiqem të vijë çdo vit këtu, tek vendi ku ai u vra. Është për të ardhur keq”, thotë 74 vjeçarja Galina, banore e Moskës.

Në korrik të vitit 2017, një gjykatë ruse dënoi një person me 20 vjet burg për vrasjen e Boris Nemtsovit. Gjykata shpalli fajtor dhe dënoi me nga 11 deri në 19 vjet burg katër persona të tjerë për bashkëpunim në vrasjen e kritikut të Kremlinit.

Pavarësisht dënimit nga gjykata të pesë personave, aleatët e Boris Nemtsovit, thonë se hetimet për vrasjen u kanë shërbyer përpjekjeve për të mbrojtur individët, që urdhëruan vrasjen, të cilët sipas tyre, vazhdojnë të jenë të lirë./Voa

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA