COVID-19 në Kosovë, humbin jetën dy persona! IKShPK thirrje për maska në ambiente të mbyllura

27/02/2023 12:55

Dy persona kanë ndërruar jetë në 24 orët e fundit në Kosovë si pasojë e infektimit me COVID, ka bërë të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ndërkohë që ka apeluar qytetarët të bartin maskat në ambiente të mbyllura.

Duke bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj COVID-19, IKShPK ka potencuar rëndësinë e vaksinimit kundër virusit.

“Ju lutemi bartni maskat në ambiente të mbyllura dhe vaksinohuni!

Ju lutemi për kujdes të shtuar ndaj COVID-19! Në vende të ndryshme të botës, po regjistrohen raste të shumta të COVID-19, sepse pandemia akoma nuk ka mbaruar. COVID-19 në Kosovë shënon trend të rritjes së rasteve të reja, fatkeqësisht sot kemi të regjistruar dy raste fatale të cilët kishin sëmundje shoqëruese”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

IKShPK ka treguar edhe simptomat të cilat duhet të shërbejnë si arsye për testim.

“IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen”, rekomandon IKShPK.

Me qëllim të përforcimit të imunitetit dhe parandalimit të rasteve të reja dhe formave të rënda të sëmundjes, Instituti këshillon qytetarët që të vaksinohen.

“MSh dhe IKShPK rekomandojnë qytetarët që rritja e rasteve me COVID-19 kërkon edhe masa parandaluese andaj duhet të të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave preventive kundër sëmundjeve ngjitëse duke zbatuar vendimet e Qeverisë, duke bartur maska në të gjitha ambientet e mbyllura, distancë, higjienë, dezinfektues për duar në të gjitha institucionet publike e private dhe të vaksinohen kundër COVID-19”, apelon IKShPK.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA