Milan i jep lamtumirën “San Siros”, tre opsione për stadiumin e ri

24/02/2023 18:40

Milan i jep lamtumirën “San Siros”. Sipas mediave italiane, kuqezinjtë kanë vendosur tashmë të vazhdojnë rrugën e tyre, larg stadiumit mitik, ku kanë shkruar historinë.

Si Milani, ashtu edhe Interi, prej kohësh nisën një projekt të përbashkët për ndërtimin e një stadiumi të ri, modern. Megjithatë burokracia ka penguar ecurinë e projektit dhe kuqezinjtë ndihen të lodhur.

Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit e klubit kanë vendosur të ndjekin rrugën e tyre, pra të ndërtojnë një stadium të vetin, pa bashkëpunim me Interin.

Duke marrë shembull nga Premier League, te Milani e dinë mirë rëndësinë e një stadiumi në pronësi. Pikërisht për këtë arsye, janë gati të hedhin një hap historik, për t’u larguar nga stadiumi mitik.

Tre opsionet për stadiumin e ri
Për ndërtimin e stadiumit të ri, drejtuesit e Milanit kanë në dorë tre vende, të cilat po i studiojnë me qetësi. I pari është ai në Sesto San Giovanni. Vendi i zgjedhur për ndërtimi ne stadiumit, është privat dhe do të shmangte shumë burokraci.

Opsioni i dytë është në komunën e San Donatos, por edhe këtu, ashtu si në Sesto San Giovanni, problem mbetet fakti i ndërtimit të stadiumit jashtë qytetit të Milanos.

Opsioni i tretë është shumë pranë San Siros, saktësisht në La Maurra, një terren prej 73 hektarësh, që aktualisht përdoret për stërvitjen e kuajve. Drejtuesit e Milanit po studiojnë të tre opsionet, për të parë se cili nga ata do të ishte më i shpejtë për t’u realizuar, por edhe më praktik për tifozerinë.

Gjithsesi, e rëndësishme është që te Milani tani e kanë vendosur të ndahen nga “San Siro”, por edhe nga Interi, pasi nuk do të përdorin më të njëjtin stadium.

Mbetet ende për t’u parë se çfarë do të bëjë Interi. Kjo pasi me largimin e kuqezinjve, zikaltrit mund të vendosin të rinovojnë dhe mbajnë stadiumin aktual të Milanos…

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA