U shpëtua nga rrënojat pas 261 orësh, babai shikon për herë të parë vajzën e lindur disa orë para tërmetit

18/02/2023 08:35

Mustafa Avcı, i shpëtuar mbrëmë vonë nga rrënojat e pallatit në Turqi, për herë të parë puthi vajzën e cila lindi mbrëmjen para se të ndodhte tërmeti.

Mes lotëve të gëzimit, Bilge Avcı, bashkëshortja e Mustafasë, i dha bashkëshortit vajzën 12-ditëshe.

Një natë para tërmetit, çifti ndodhej në një spital privat në Antakya të provincës Hatay, ku pritej lindja e foshnjës së tyre.

Lindja ndodhi në ora 23:50 më 5 shkurt sipas kohës lokale. Disa orë më vonë, goditi tërmeti i parë, gjatë të cilit mbeti nën rrënoja Mustafa Avcı.

Fatmirësisht, reparti i spitalit ku ndodhej Bilge Avcı bashkë me foshnjën e sapolindur, qëndroi pa u rrëzuar për një kohë, mjaftueshëm që ata të dalin të sigurt nga spitali.

Mbrëmë, 261 orë pas tërmetit shkatërrues, Mustafa Avcı u nxor i gjallë nga rrënojat, ngjarje e cila cilësohet si mrekulli. Ai u transferua në një spital në qytetin Mersin, ku e vizituan bashkëshortja Bilge dhe foshnja e tyre.

Duke menduar se familja e tij kishte vdekur, Mustafa Avcı tha se nuk kishte asnjë shpresë dhe madje nuk bëri asnjë përpjekje për të dalë i gjallë nga rrënojat.

I pyetur se si ndihet tani, Mustafa Avcı tha: Është sikur kam lindur sërish.

Bilge Avcı shprehet se ende nuk mund ta besojë që burri i saj është nxjerrë i gjallë nga rrënojat.

“Jam shumë e lumtur. Kishim humbur shpresat. Tani jemi në një pikë ku fjalët nuk mjaftojnë. Vajza ime ishte gjithmonë e buzëqeshur, sikur po thoshte ‘Babai im do të vijë sot’“, tha Bilge Avcı.

Tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6 të shkallës Rihter, me epiqendra në provincën turke Kahramanmaraş, goditën 11 provinca më 6 shkurt, duke shkatërruar mijëra ndërtesa dhe duke prekur më shumë se 13 milionë njerëz.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA