Mbi 100 ushtarë ukrainas po kryejnë trajnime intensive në Poloni mbi përdorimin e tankut të prodhimit gjerman Leopard 2 që përdoret në fushëbetejë.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Myroslava Gongadze, njofton nga baza ushtarake Svietozov në Poloni se udhëheqësit ukrainas thonë se tanket, të premtuara nga aleatët perëndimorë tre javë më parë, do të luajnë një rol kyç në luftën kundër agresionit rus.

Në këtë bazë ushtarake polake po stërviten intensivisht mbi 100 trupa ukrainase. Ata u sollën nga vijat e frontit në Ukrainë për të mësuar se si të përdorin tanket Leopard 2 të prodhimit gjerman të ofruara nga aleatët perëndimorë.

Ata po trajnohen nga instruktorë nga Kanadaja, Norvegjia dhe Polonia. Trupat ukrainase, të cilët kishin luftuar në rajonet Donetsk dhe Luhansk, po stërviten 10 orë në ditë, përfshirë fundjavat.

Zëri i Amerikës bisedoi me majorin polak Artur Pinkovsky, i cili është zëdhënës i bazës.

“Trajnimi është shumë i ngjeshur në kohë, sepse koha është problemi ynë më i madh. Trupat ukrainase kanë pervojë, ata erdhën këtu nga fronti i luftës”.

Trajnimi zakonisht zgjat tre muaj, por zyrtarët thonë se ushtarët ukrainas do të jenë gati t’i përdorin këto tanke në fushën e betejës brenda rreth një muaji.

Majori i ushtrisë ukrainase Vadym Khodak po udhëheq stërvitjen. Ai thotë për Zërin e Amerikës se trupat e tij janë të gatshme për të mësuar shpejt.

“Ushtarët e mi kanë përvojë në fushën e betejës. Ata kanë përdorur tanket tona në luftë, kështu që është shumë më e lehtë për ta, që të mësojnë se si t’i përdorin këto tanke”.

Majori thotë se këto tanke do të luajnë një rol të rëndësishëm në fushën e betejës.

“Aktualisht kemi mungesë të mjeteve të blinduara dhe shpresoj që kur të arrijmë në vijën e frontit me këto pajisje, do të shpëtojmë jetët e shumë ushtarëve tanë dhe do t’i afrohemi fitores”.

Dërgimi i 14 tankeve të para është planifikuar për muajin që vjen. Tanket Leopard 2 pritet të jenë një mbështetje e mirë për forcat ukrainase, ndërsa po afrohet një vjetori i fillimit të agresionit rus.

Partnerët evropianë planifikojnë të dërgojnë në Ukrainë dy batalione tankesh. E gjithë Evropa ka rreth 2 mijë tanke të modelit Lepoard 2.

Sipas zyrtarëve, dërgimi muajin që vjen i 14 tankeve të gatshëm për fushën e betejës, do të jetë hapi i parë. Presidenti polak, Andrzej Duda, vizitoi poligonin e stërvitjes të hënën dhe vlerësoi luftën e Ukrainës kundër Rusisë.

“Ukrainasit po na mbrojnë të gjithëve, ata po mbrojnë Evropën duke luftuar imperializmin e ri rus. Ne e njohim fytyrën e imperializmit rus nga historia jonë dhe fqinjët tanë ukrainas po na mbrojnë. Ne i falenderojmë ata për këtë”.

Ai shtoi se Polonia po ofron mbështetje për ukrainasit ndërsa u bëri thirrje aleatëve perëndimorë që të dërgojnë më shumë pajisje në Ukrainë në javët në vijim./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA