Shfrytëzimi pa kriter dhe pa leje në Parkun Kombëtar të Tomorrit nuk ka të sosur.

Eskavator, kamionë, punëtorë shkojnë çdo ditë në malin e Tomorrit afër fshatit Mëlovë, në zonë të mbrojtur, dhe nxjerrin pllaka guri. Institucionet shtetërore kanë “ngritur duart”, pasi puna vijon pa ndërprerje, ditë e natë. Ndërkohë që me VKM-në e vitit 2012 është shpallur park kombëtar  dhe ka status të veçantë të mbrojtjes.

Fiksi e ngriti  si problem edhe në vitin 2017 masakrën që po i bëhej këtij parku, ku ishin dhënë plot 12 leje shfrytëzimi, në letra në kufi me parkun kombëtar, në realitet nxirrin gurë brenda tij.  Pas këtij denoncimi Ministria e  Turizmit dhe  Mjedisit së bashku me Inspektoriatin e Mjedisit nga inspektimi në terren  vunë gjoba për subjektet dhe revokuan lejet.

Por mbrëmjen e së martës Fiksi tregoi se këto revokime kanë mbetur në letër pasi ende masakra në Parkun Kombëtar të Tomorrit vazhdon sot e kësaj ditë.

Gazetarët e Fiksit vëzhguan për disa ditë me radhë sesi pllakat e gurit nxirreshin pa kriter nga punonjësit vendas, e më pas kamionët e ngarkuar i depozitonin  afër rrugës nacionale Çorovod- Skrapar tëk firmat që merren me grumbullimin dhe shitjen e gurit. Të vetmit që mungojnë në këtë zonë janë policia, inspektorët e mbrojtjes territorit, të cilët duhet të ndalojnë këtë këtë masakër mjedisore.

Punonjësit të pyetur nga gazetarët u shprehën se punonin çdo ditë pa u ngacmuar nga kush edhe pse e dinin shumë mirë se ajo që bënin ishte e paligjshme.  Pyetjes së gazetarëve të Fiksit se ishin punonjës të ndonjë firme  ata u përgjigjen se punonin invidualisht, por këtë e hedhin poshtë pamjet e xhiruara nga Fiksi ku kamionët shiheshin të lëviznin pikërisht në vendin ku ata punonin. Ata shpreheshin se pllakat e gurit i shisnin me 2-3 mijë lekë metri katror, ndërkohë që poshtë firmat  po të njëjtat pllaka guri i shisnin me 5-6 mijë lekë metri katror.

Gazetarët e emisionit Fiks Fare kontaktuan  edhe me disa nga firmat të cilët  e grumbullonin dhe shisnin gurin. Në bisedë me gazetarët e Fiksit  ata treguan se gurët vinin nga mali i Tomorrit. Dhe se mund të përgatisnin çdo lloj kërkesë të klientëve, pasi puna për nxjerrjen e pllakave të gurit vazhdonte normalisht. ” Ti më thuaj sa metra katrorë do dhe unë t’i ulë që nesër pasi puna vazhdon lart” shprehet njëri prej tyre. Një nga pronarët e firmave tregon se pjesën më të madhe e dërgon në Greqi, duke kaluar edhe pikat kufitare, ndërsa askush nuk e ndalon.  Pronarët e këtyre pikave që shfrytëzojnë malin e Tomorit u tregojnë gazetarëve që punojnë në të zezë, pasi shteti i ka mbyllur ato prej vitesh, saktësisht që në 2017 pas denoncimit të Fiks Fare asokohe.

Fiks Fare ka nisur prej ditësh denoncimin e gërryerjeve të paligjshme nëpër zonat e mbrojtura, si në Krujë, Fushë – Krujë, Nikël në malin e Tomorrit.  Ku autoritet që merren me mbrojtjen e pyjeve trazohen vetëm në momentin që gazetarët dalin në terren, ndërsa në përditshmërinë e tyre, duket se kanë zgjedhur të heshtin përballë babëzisë së njerëzve të papërgjegjshëm që po shkatërrojnë këto asete kombëtare. Nesër ky emision sërish  do të vijojë të denoncojë të tjera fakte se kush i mbron pronarët shfrytëzues të paligjshëm në këtë masakër mjedisore.

FOTO GALERI
9/11

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA