Bushati: “Kalorësi blu” i drejtësisë Amerikane është “Non-Grata”

14/02/2023 19:52

Në Top Talk me Juli Xhokaxhi, ish-Kryetar i PS Tiranë, Ervin Bushati dhe pedagogu Ervis Iljazaj, diskutuan rreth temës: Opozita strategji për “krizë parlamentare”!

Bushati është shprehur se revolucioni i Berishës është thjeshtë një farsë politike dhe se me këtë lëvizje politike ai synon të heqë vulën nga Amerika.

Nga ana tjetër Iliazaj është shprehur se në mënyrë që të funksionojë opozita duhen plotësuar dy kushte të bashkohet opozita dhe të rregullohen marrëdhëniet me ndërkombëtarët.

Ervis Iliazaj: Jemi mësuar këto 30 vite me këto skena dhe nuk është ndonjë lajm i ri. Sa më shumë afër zgjedhjeve lokale të jemi do të kemi një rritje të retorikës apo të toneve. Kjo është një strategji, unë mendoj se është e keqe. Kryesohet nga opozita më në krye zotin Berisha për të mobilizuar militantët që po e ndjekin. E shoh si një strategji politike. Për mua nuk ishte protestë e dhunshme, ka një mitizim të protestave në Shqipëri. Në fund të ditës mund të bëjmë një bilanc e të themi se çfarë arriti, nuk mendoj se arriti ndonjë gjë. Protesta nga një instrument I qytetarëve është kthyer në instrument të partive politike. Kjo është kriza e trefishtë e lidershipit të tij, I vetmi instrument është protesta. Në këto kushte unë mund të them që opozita është e disavantazhuar në këto zgjedhje lokale dhe është e turpshme pse Gjykata e vonon vendimin. Në mënyrë që të funksionojë opozita duhen plotësuar dy kushte të bashkohet opozita dhe të rregullohen marrëdhëniet me ndërkombëtarët, unë e shoh të vështirë këtë situatë.

Ervin Bushati: Ky revolucion i Berishës është një farsë politike dhe do të oshte komike por të mos vinte era grusht shteti sepse në një mënyrë brutale ka përzier dhunën me humorin duke bllokuar institucionet themelore të funksionimit të shtetit siç është Kuvendi. Sa më shumë afrohen zgjedhjet, ai po e përdor si alibi këtë përplasje për të justifikuar humbjet në zgjedhjet lokale pasi do të ketë vetëm çmime simbolike, për të bashkuar opozitën rreth vetes dhe e treta misioni i Berishës nuk është të fitojë zgjedhjet por të heqë nga CV-ja e vet ato persona non-grata që i kanë vënë në fund të jetës së tij politike SHBA-ja. Kjo gara për të marrë vëmendjen e medias është turp për këdo, ndonëse politika është një aksion politik i përbashkët. Berisha ngatërron nga shekulli i kaluar termin revolucion me atë bolshevik dhe atë të Iranit. Kalorësi blu që mbron sot drejtësinë amerikane është një person non-grata në Amerikë. Atij i duhet thjeshtë një sebep për të bërë atë që do të bënte. Rama është i vetmi që e mbledh opozitën. Fatin e partive politike e përcaktojnë zgjedhjet dhe PD-ja do të marrë një rezultat ku do të ketë vetëm çmime ngushëlluese. Berisha mendon se duke u bërë faktor politik do ta thërrasin anëtarët e SHBA-ve.

Top Channel