Komisioni i Politikës së Jashtme i Parlamentit Europian diskuton sot draft-raportet për Kosovën e Serbinë, të paraqitura nga raportuesit përkatës të të dy vendeve, Viola Von Cramon për Kosovën dhe Vladimir Bilçik për Serbinë.
Në draft-raportin e Kosovës përshkruhet situata politike në vend si dhe zhvillimet e fundit, përfshirë edhe aplikimin për anëtarësim në BE dhe raportet me Serbinë. Në tekst, përshëndete aplikimi i Prishtinës, që sic thuhet aty, reflekton orientimin pro-europian të qytetarëve të saj dhe një përcaktim të qartë gjeopolitik”.
Suedia, e cila e ka kryesimin e radhës, është duke zhvilluar kosultimet me vendet anëtare për hapat e mëtejmë në këtë proces. Në draft mirëpritet po ashtu “marrëveshja e shumëpritur për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”.
Sipas planit, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të nisë në 1 nëntor të këtij viti, nëse deri atëherë hyn në funksion sistemi elektronik i BE-së për autorizimin e udhëtimeve, i njohur ndryshe si ETIAS. Në të kundërt, një gjë e tillë mund të ndodhë e shumta 1 janarin e vitit 2024.
Parlamenti Europian përsërit edhe kësaj radhe thirrjen për njohjen e Kosovës si shtet sovran nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që akoma nuk e kanë hedhur ende një hap të tillë. Ai pritet ta ftojë Kosovën që të vazhdojë punën në reformat e nevojshme për progresin në rrugëtimin europian, ku në veçanti përmendet sundimi i ligjit dhe raportet me Serbinë. Në tekst bëhet thirrje edhe për një angazhim të sinqertë të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës për një dialog i cili “do të forconte besimin e ndërsjelltë”.
Top Channel