Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i përcolli Shteteve të Bashkuara të Amerikës urimin e tij me rastin e 250-vjetorit të shpalljes së mëvetësisë, duke e cilësuar Deklaratën e Pavarësisë amerikane si një dokument me vlera universale që vazhdon të frymëzojë popujt në mbarë botën.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti kujtoi se nënshkrimi në 4 korrik 1776 i aktit që shënoi lindjen e SHBA-së, hodhi në fakt themelet e shtetit mbi parimet e lirisë, barazisë dhe të drejtave të patjetërsueshme të njeriut. Ai nënvizoi se rëndësia e këtij dokumenti shkon përtej momentit historik të miratimit të tij, pasi vlerat që ai mishëron mbeten aktuale edhe sot.
”Duke i bërë jehonë këtyre vlerave dhe të drejtave universale,..’Fryma e ’76-ës’ ka mundur jo vetëm të mbijetojë, por edhe të jetojë fuqishëm në mendjet dhe zemrat e patriotëve të çdo epoke dhe çdo populli”, ishte mesazhi i tij. Në postim, Kurti e ndërlidhi gjithashtu historinë amerikane me atë shqiptare, duke kujtuar takimin e Fan Nolit me presidentin amerikan Woodrow Wilson më 4 korrik 1918, teksa tha se mbështetja e këtij të fundit për parimin e vetëvendosjes ndikoi në mbrojtjen e shtetit shqiptar pas Luftës së Parë Botërore, përmes planit të paqes të njohur si “14 Pikat e Wilsonit”.

Një ditë më parë, Posta e Kosovës prezantoi një pullë postare që i kushtohej 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së, të cilën Kurti e përshkroi si një simbol të miqësisë dhe partneritetit të qëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Top Channel