Një tjetër hap drejt Superiores, Dinamo dhe Skënderbeu nuk bëjnë hapa fals

06/02/2023 16:15

Dinamo koleksionon të dytën fitore radhazi në Kategorinë e Parë teksa mposhti në transfertë Orikun me rezultatin 2-4. Blutë nuk e vendosën në asnjë moment në dyshim suksesin teksa shënuan dy gola të shpejtë, në të 19-tën dhe në të 21-tën.

Autori i golit të parë ishte Smaci ndërsa braziliani Denilson dyfishoi shifrat. Fundi i pjesës së parë dhuroi edhe dy gola të tjerë me vendasit që fillimisht shkurtuan shifrat me anë të Matheus Batista ndërsa i menjëhershëm ishte reagimi i kryeqytetasve me Smacin që shënoi të tretin për Dinamon dhe të dytin personal. Sa i takon fraksionit të dytë, Mathues Batista realizoi sërish për Orikun megjithatë mendoi Denilson në të 70-tën për t’i shuar shpresat kundërshtarëve.

Kështu, me rezultatin 2-4, Dinamo arriti tre pikë të rëndësishme për të “blinduar” kreun teksa shkon në kuotën e 30 pikëve, ndërsa Oriku është i parafundit në klasifikim me 12 pikë. Nga ana tjetër, edhe Skënderbeu ia doli të marrë fitoren e dytë radhazi në kampionat teksa mposhti në shtëpi Tërbunin me rezultatin 2-0. Golat për skuadrën korçare u shënuan nga ana e Dean Liços në minutën e 30-të të pjesës së parë me penallti, ndërsa në të 90-tën shënoi edhe Abubakari.

Pas këtij rezultati, Skënderbeu ngjitet në vendin e dytë me 26 pikë ndërsa Tërbuni nga ana tjetër, mbetet në vendin e 6 me 20 pikë. Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të javës së 14-të, Apolonia nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 me Korabin. Pas këtij rezultati, fierakët renditen në vendin e nëntë me 17 pikë ndërsa Korabi është në vend të katërt me 25 pikë.

Top Channel