“Mos i bëni presion Kosovës që të pranojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, ishte thirrja që kryeministri Albin Kurti i përcolli fuqive perëndimore gjatë një interviste të dhënë për Associated Press.

Në vend të kësaj, u shpreh shefi i ekzekutivit kosovar, Perëndimi duhet të përqendrohet që ta bëjë Serbinë më demokratike dhe të largojë atë prej ideve hegjemoniste.

Sipas Kurtit,  qeveria serbe duhet të pranojë pavarësinë e të gjitha ish-republikave jugosllave në mënyrë që “të përballet me të kaluarën”. Ai theksoi se Beogradi duhet të anojë më shumë drejt Bashkimit Evropian dhe NATO, e jo drejt Rusisë.

“Nëse e çlirojnë veten nga ideja se Kosova ende i takon Serbisë, ata do të jenë më demokratikë, më europianë”, ishte komenti i tij.

Javët të fundit janë shtuar ndjeshëm ecejaket diplomatike perëndimore, e të dërguarit nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë vizituar vazhdimisht Prishtinën dhe Beogradin për t’i inkurajuar palët të pranojnë një propozim të ri – të quajtur propozim europian – që dy shtetet të normalizojnë raportet dhe të përshpejtojnë rrugëtimin e tyre drejt BE-së.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e BE-së, ka nisur më 2011, por vetëm disa prej 33 marrëveshjeve të arritura janë zbatuar deri më tani.

“Negociatat deri tani ideologji për zgjidhjen e problemit… çdo zgjidhje është bërë më e ndërlikuar, madje edhe më e pazbatueshme, dhe publiku humbi interesin. Propozimi evropian “është një kornizë dhe platformë e mirë për të ecur përpara…. gjë që na bën ne që të shpresojmë lidhur me perspektivën e bisedimeve të ardhshme dhe për një marrëveshje”, tha Kurti.

Plani evropian – apo siç njihet edhe si propozimi franko-gjerman – nuk është bërë ende publik, ndonëse disa detaje të tij janë përcjellë tashmë përmes mediave të ndryshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA