Zaniolo drejt Turqisë, por vendos një kusht për të ardhmen

05/02/2023 17:44

Nicolo Zaniolo duket se është i destinuar të transferohet në Turqi tek Galatasaray, si pasojë e faktit se sulmuesi ka mbyllur çdo raport me Romën dhe trajnerin Jose Mourinho.

Me merkaton në kampionatet elitare që është e mbyllur, i vetmi opsion për lojtarin italian është transferimi në Superligën turke.

Zaniolo është dakord që të luajë për pjesën e mbetur të sezonit me Galatasarayn, megjithatë ajo që nuk pranon sulmuesi është klauzola. Te Galatasaray janë të bindur se nuk mund ta mbajnë gjatë në organikë një talent si Zaniolo dhe kërkojnë t’i vendosin një klauzolë të lartë për të përfituar maksimalisht kur ta shesin 23-vjeçarin. Por, ky fakt bën të druhet Zaniolon për shkak se sulmuesi nuk mund të rrezikojë të mbesë gjatë në Turqi.

Ai vijon të ëndërrojë për një transferim tek Milani apo edhe në Premier League aty ku janë disa klube të interesuara për sulmuesin. Bisedimet vijojnë dhe mbetet për t’u parë nëse Zaniolo dhe Galatasaray do të gjejnë gjuhën e përbashkët për të bashkëpunuar në pjesën e dytë të sezonit aktual.

Top Channel