Rashford po “kopjon” Wayne Rooney tek United, zbulohen “sekretet” e sulmuesit në formë “vrastare”

05/02/2023 17:02

Komplimenti më i madh që mund të thuash ndaj Marcus Rashford deri më tani është që sa herë ai zbret në fushën e lojës, duket sikur do të shënojë.

Pjesën më të madhe të kohës e gjen rrugën e rrjetës.

Sulmuesi shënoi golin e 19-të sezonal të shtunën në fitoren 2-1 ndaj Crystal Palace, ku edhe njëherë tjetër ai u shfaq në momentin që skuadra kishte më së shumti nevojë. 24-vjeçari ka realizuar 11 herë në 13 ndeshjet e fundit dhe vetëm në 3 takime pas Kupës së Botës nuk ka arritur të bëhet protagonist me një gol.

Në këtë seri ndeshjesh, e kemi parë anglezin të shënojë golat nga më të ndryshmit. Nga finalizimet më të thjeshta përballë portierit, deri tek golat si pasojë e aksioneve personale. Ndërkohë që pozicioni i tij më i mirë mbetet krahu i majtë i sulmit, aty ku mund të futet në brendësi dhe të godasë me këmbën e djathtë, një faktor shumë i rëndësishëm i transformimit të tij ka qenë edhe instikti vrasës që ka treguar para portës sa herë është aktivizuar në sulmues qendre.

‘’Mendoj se ky djalosh mund të arrijë një nivel të klasit botëror nëse ai vazhdon të përmirësohet’’, parashikonte Rio Ferdinand tre vite më parë. ‘’Ai duhet të shtojë elementin vrastar para porte, të një sulmuesi që shënon dhe golat më të rëndomtë. Wayne Rooney kur nënshkroi për Man.United, shënonte gola spektakolarë.

Nuk shënonte gola të ‘shëmtuar’, por ato i mësoi me kalimin e kohës. Marcus shënon gola shumë të bukur gjithashtu, por nëse kopjon vetinë e Wayne Rooney, do të arrijë një nivel të pabesueshëm’’ përfundon legjenda e “Djajve të Kuq”.

Goli i dytë i Man.United nuk mund të konsiderohet asesi një gol i shëmtuar, pasi erdhi si burim i 14 pasimeve radhazi, por ishte mënyra e finalizimit që është parë shumë rrallë nga Rashford, me anglezi që veproi në zonë si një sulmues i vërtetë.

Rashford, njëlloj si Wayne Rooney në të shkuarën, po merr përsipër përgjegjësi dhe po shfaqet i rrezikshëm sa herë ka topin në zotërim. Marcus Rashford nuk është më një shënues i golave të shkëlqyer, por është kthyer në një golashënues të shkëlqyer.

Top Channel