Verstappen kërkon titullin e tretë radhazi: Ja kush janë rivalët e RedBull në sezonin e ri!

04/02/2023 22:39

Max Verstappen e ka të qartë objektivin për vitin 2023 në Formula 1. Dy herë Kampioni i Botës do të tentojë të ruajë sërish fronin teksa holandezi në një intervistë të fundit shtoi se rivalët e RedBull në këtë sezon do të jenë Mercedes dhe Ferrari edhe pse pret më shumë konkurrencë nga skuadra gjermane.

“Ne punojmë shumë si skuadër për të qenë në garë për titullin, por vetëm koha do të tregojë nëse do të jemi mjaftueshëm të përgatitur për të fituar sërish. Tani nuk është momenti që ta mendoj titullin, duhet të fokusohemi vetëm për të pasur një makinë konkurruese. Unë ende nuk e kam parë makinën e re, por kemi folur vetëm në lidhje me përmirësimet e mundshme. Unë dua vetëm një makinë të shpejtë dhe nuk më intereson nëse është e bukur apo jo.

Rivalët? Më duket se Mercedes e mori veten që në fundin e sezonit të kaluar, por është e vështirë të flas sepse unë nuk jam pjesë e skuadrës së tyre. Nëse ata e kanë kuptuar se çfarë duhet të përmirësojnë në makinë, atëherë i pres të jenë rivalë, ndoshta rivalët tanë kryesorë.

Megjithatë, nuk duhet harruar Ferrari, i pres sërish të fortë. Edhe pse është e vështirë të thuhet sa të fortë do të jenë. Në vitet e fundit Mercedes e ka treguar se është shumë i fortë dhe rreth tyre ka shumë njerëz seriozë dhe profesionistë që janë tejet të përgatitur.

Por, edhe unë i besoj njerëzve të mi tek RedBull. Jam i sigurt se do të ndërtojnë një makinë të kompletuar me një motor shumë të mirë dhe shpresoj të jemi të mirëpërgatitur për rivalët tanë”, u shpreh Verstappen.

Top Channel