Klopp flet “pa doreza” pas eliminimit, muaji shkurt është një barometer për Liverpool

30/01/2023 18:47

Ky nuk është aspak sezoni i Liverpool dhe diçka e tillë është kuptuar prej kohësh, pasi “The Reds” po vuajnë edhe në kampionat. Eliminimi në FA Cup përballë Brighton ishte një tjetër tregues që Klopp dhe Liverpool janë në vështirësi dhe gjërat nuk po funksionojnë në këtë edicion.

Disfata ndaj Brighton erdhi në frymën e fundit, por pas një rezultati të tillë nuk ka vend për justifikime dhe Klopp ishte i drejtpërdrejtë në fjalët e tij.

“Ne erdhëm këtu pasi kishim mësuar pak ditë më parë një humbje 3-0. Atë ditë ne nuk ishim në versionin tonë më të mirë, ndërsa të dielën luajtëm më mirë, kishim më shumë dëshirë, por përsëri nuk na mjaftoi. Ajo që më shqetëson është fakti se ne pësojmë në çdo goditje që marrim dhe kjo është e patolerushme. Skuadra e di mjaft mirë se çfarë kërkoj unë nga ata dhe e ndjej që edhe lojtarët janë maksimalisht të zhgënyer nga kjo situatë, nga ky edicion. Besoj se me kalimin e kohës do të shohim gjëra pozitive.

Nuk do qëndrojmë duke kujtuar të shkuarën, por do punojmë për të rregulluar të ardhmen. Gjithsesi, urime Brighton për kualifikimin”, tha Jurgen Klopp.

Muaji shkurt do të jetë shumë përcaktues për Liverpool, pasi tani skuadra është e fokusuar jo vetëm në kampionat, por edhe në Champions League aty ku do të masë forcat përballë kampionëve në fuqi, Real Madrid.

Sa i përket kampionatit, fjala titull tani është zhdukur nga fjalori në shtëpinë e Liverpool, pasi “The Reds” qëndrojnë në vendin e nëntë me 29 pikë , shtatë më pak se zona europiane që deri diku është misioni primar i skuadrës dhe trajnerit Jurgen Klopp.

Top Channel