Era që “fshiu” federatën e Atletikës! Smajlaj dhe Ruli vazhdojnë gjyqet, sekretari Dionisi tërhiqet nga çështja

30/01/2023 15:32

Atletika shqiptare prej më shumë se një muaji po vuan krizën më të madhe të historisë së sajë dhe kjo jo, për shkak të dopingut, por për një manipulim të Federatës Shqiptare të Atletikës e cila në njoftimet e saj për garën e zhvilluar në muajin maj të vitit 2021 është ndëshkuar me pezullime të rënda dhe madje të paprecedentë.

Njësia e Integritetit të Atletikës pranë Federatës Botëror ka vendosur që për manipulimin e dokumentacionit të sjellë, një pezullim nga 4 në 8 vite, për dy drejtuesit e FSHA-së Gjergj Ruli, president i Federatës dhe trajner i Izmir Smajlajt, Nikolin Dionisi, sekretar i përgjithshëm i federatës dhe sportisti Izmir Smajlaj i cili në këtë aktivitet theu edhe rekordin e tij personal me kërcimin 8.16 m.

Po si qëndron e vërteta e këtij ndëshkimi të paprecedentë. Top Channel ka zbuluar se bëhet fjalë thjesht për një matës ere, një element teknik i domosdoshëm në këto gara, të cilin vendi ynë nuk e ka pasur ndonjëherë pavarësisht se kosto e tij është nga 200 në 2000 euro. Dhe që vlen të theksohet se ajo shpejtësi ere që qarkullon në Tiranë asnjëherë nuk ka qenë në masën për të qenë ndihmesë për sportistin që të përmirësojë rezultatin.

Dokumentacioni i dërguar në fillim në Federatën Botërore që certifikon rezultatin ndërkombëtarisht ka qenë pa matës e më pas me matës, duke manipuluar me një foto nga ana e drejtuesve të federatës shqiptare të atletikës.

Në fakt një e vërtetë që është zbuluar pas hetimit të imtësishëm deri në telefonat celularë në Oregon të SHBA-së gjatë kampionatit botërorë vitin e shkuar. Aty është zbuluar se foto e dërguar me matës ere të garës së Izmir Smajlajt në fakt nuk ka qenë foto e garës, për më tepër me një matës ere jashtë pozicionit të duhur dhe jo një matës ere profesional atletike.

Ka mjaftuar kjo tentativë për të zbutur “varfërinë” tonë që në fakt ka implikuar veç zyrtarëve edhe sportistin Smajlaj i cili në këtë rast ëshë më i dëmtuar dhe më jashtë kësaj historie. Gjithsesi kampioni i Europës dhe Ballkanit ka zhvilluar seancën e parë gjyqësore javën e shkuar në Montekarlo ku ndodhen edhe zyrat e Njësia e Integritetit të Atletikës dhe vendimi për të zbardhet në fillim të muajit mars.

Të njëjtën gjë, apelim ka bërë edhe presidenti dhe trajneri i Izmirit, Gjergj Ruli, ndërkohë që sekretari Nikolin Dionisi, përkundrejt këtyre seancave mjaft të shtrenjta gjyqësore, pasi arrijnë kuota në rreth 40.000 euro ka vendosur të mos bëjë padi duke u tërhequr dhe pranuar në një farë mënyre një dënim 4-vjeçar në prag pensioni.

Kjo situatë për t’u dukur edhe ne si Europa me standarte të plota, na nxorri zbuluar, duke humbur shumë. Një dëm shumë të madh imazhi duke na konsideruar si një vend që manipulon rezultatet dhe një damkë e tillë, i mbetet pak sportistëve në atletikë, që tani nën lupën e hetuesve do të duhet ta pastrojnë.

Top Channel