“Lutej e thërriste të ëmën”; për tre minuta rresht, 5 efektivë policie rrahën brutalisht 29-vjeçarin afrikano-amerikan, Tyre Nichols, pas një ndalimi për shkelje rrugore.
Autoritetet amerikane bënë publike videon e ngjarjes tronditëse, ku shihet se edhe vetë ndalimi i të riut nuk ishte fort i përligjur, ndërsa ai nuk i ka bërë aspak rezistencë forcave të rendit, ndaj dhuna e përdorur prej tyre nuk justifikohet.
Pamjet filmike tregojnë sesi dy oficerë në qytetin jugor amerikan Memfis e mbajnë të riun në tokë, ndërsa të tjerët e shkelmojnë dhe e godasin me grushte.
Të paktën njëri prej tyre përdor shkopin e gomës. Në filmimet që zgjasin rreth një orë, të përpiluara nga kamerat e ndryshme që mbanin oficerët në trup, Nichols dëgjohet ndërsa thërret nënën e tij. Ai ndërroi jetë në spital pas tre ditësh.
Që prej publikimit të videos, protesta kanë nisur në Memfis ku tubuesit kanë bllokuar dhe një autostradë, ndërsa në duar mbanin pankarta ku shkruhej: Boll na vratë në qytetin tonë”. Tubime të ngjashme po zhvillohen edhe në qytete të tjera.
Familja Nichols ka bërë thirrje që protestat të mbeten paqësore, por ajo kërkon drejtësi. Oficerët e policisë të përfshirë në incident, të cilët ishin të gjithë afrikano-amerikanë, u akuzuan të enjten për vrasje të shkallës së dytë dhe disa akuza të tjera penale. Të gjithë ata janë shkarkuar.
Top Channel